Autor: Krenare Hoxha
Në fundin e rrugës së fshatit Dobërdol, nën hijen e pemëve që e kanë veshur natyrën në të gjelbër, ndodhet një ndër shkollat e para shqipe në rrafshin e Dukagjinit. Sot, kjo shkollë është e mbuluar nga pëlhura e vjetërsisë, por pavarësisht kësaj, mësimi në të zhvillohet çdo ditë me rregull.
Paralelja e shkollës fillore “Mehmet Shoshi” është një objekt i vogël, i vendosur në një lëndinë të hapur e të parrethuar, ku fëmijët vrapojnë e luajnë derisa zilja i thërret ta fillojnë mësimin. Ato metra katrorë, të mbuluara nga bari e të rrethuara nga pemët, për fëmijët janë vendi ku ata gjejnë kënaqësi.
Megjithatë, sipas Ligjit për Arsimin Fillor, më saktësisht sipas Nenit 19.2, komuna duhet “të marrë masa për të siguruar që ambienti rrethues urban apo rural, në të cilin është vendosur shkolla, është në përputhje me të drejtën e nxënësve për të pasur një mjedis të sigurt dhe njerëzor jashtë shkollës’’.
’Objekti është i ndërtum me qerpiq e tavani me terrska. Nuk ka plloqë hiç’’, tregon mësuesi Enver Kastrati. Se a do të rinovohet shkolla, mësuesit nuk e dinë, por ata thonë që kanë marrë premtime të shumta ndër vite, shkruan Express.
Nuk dihet se kur këtyre mureve të zhveshura e të gërryera do t’iu rikthehet hijeshia. Drejtori i arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj, nuk premton asgjë. Për herë të fundit, drejtoria kishte investuar në këtë shkollë duke i lyer muret e brendshme, i kishte ndërruar dyert dhe rinovuar tualetet. Për një rinovim më të madh, Avdimetaj thotë se buxheti i komunës është shumë i varfër dhe ministria nuk po investon.
“Dy gjenerata në një klasë”
Kanë kaluar më shumë se 70 vjet që kur kjo shkollë për herë të parë i hapi dyert për arsimim. Ishin vitet e pesëdhjeta atëherë kur kishte mbi 30 nxënës në një klasë, ndërsa sot mësimi duhet të zhvillohet me klasa të kombinuara për shkak të numrit të vogël të nxënësve.
Mënyra e tillë e të mësuarit nuk është diçka e re në shkollat tona. Është e ditur për të gjithë që, sidomos në në zonat e thella rurale, mësimi është i kombinuar me dy klasë.
Kombinimi i klasave në shkollat fillore duhet të jetë i tillë që klasa e parë të jetë se bashku me të tretën, e dyta me të katërtën dhe klasa e pestë duhet të jetë e ndarë vetëm.
Enver Kastrati është një ndër mësuesit e kësaj shkolle. Gjatë 29 vjetëve të përvojës së tij në këtë shkollë, klasa e tij gjithmonë ka qenë e mbushur me nxënës të dy gjeneratave të ndryshme. Klasa e tij sot i ka gjithsej 14 nxënës. Klasa e dytë i ka vetëm katër nxënës dhe e katërta dhjetë sosh.
“Orën mësimore prej 40 minutash e ndaj në 20 minuta për secilën klasë”, tha Kastrati. Vështirësitë dhe problemet kanë qenë evidente gjatë këtyre viteve të punës për mësuesin. Klasën e organizon në mënyrë që fëmijët të mos e humbasin koncentrimin në mësimet e njëri-tjetrit. Lëndët mësimore nuk i mban të njëjtat me të dy klasat. Kur me njërën klasë mban matematikë, me klasën tjetër mban gjuhë shqipe. Vetëm lëndët e shkathtësisë i mban në të njëjtën kohë, në mënyrë që edhe fëmijët të aktivizohen së bashku dhe të mësohen në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Mësimi dyklasësh për brezat e vjetër të mësuesve nuk është një sfidë e re më të cilën ata duhet të përballen, ndoshta pasi që metoda të ngjashme kanë aplikuar edhe në kohën e luftës, kur arsimi i kishte vështirësitë e veta. Probleme më të mëdha paraqiten te mësuesit e rinj, të cilët studimet dhe praktikat e tyre i përfundojnë në programin e edukimit për zhvillimin e mësimit në klasë të ndara. Edhe Avdimetaj mes fjalësh thekson se mësuesit me përvojë nuk dështojnë në këto metoda të mësimdhënies, ndërsa mësuesit e rinj kanë më shumë probleme.
Drejtori i shkollës, Dyldyl Mulaj, thotë se ka kërkuar veçanërisht që nxënësit të kthehen në shkollën amë. Megjithatë, janë prindërit ata të cilët insistojnë që fëmijët mësimet t’i ndjekin në shkollën e fshatit të tyre.
Të ulur rreth bankave shkollore e me fytyra të buzëqeshura, për fëmijët duket normale kjo mënyrë e të mësuarit. Dëshira e tyre ishte një shkollë e re me një klasë të madhe, të cilën ata mund ta ndanin me shokët e tyre.
(*Autorja është studente e vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë në UP)