Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka treguar se si thyhen rregullat nga agjensionet e autobusëve në Kosovë në krahasim me ata në Evropë.
Pacolli përmes një reagimi në llogarinë e saj në facebook ka përmbledhur disa nga rregullat që duhet por që nuk përfillen nga autobusët kosovarë.
Njëri nga ta është vendosja e rripit të sigurimit me të cilin, deputetja edhe e fillon statusin e saj.
Sipas saj në ulëset e autobusëve mungojnë rripat e sigurisë që edhe nëse pasagjeri dëshiron ta vendosë nuk e ka këtë mundësi.
Po ashtu ajo e krahason udhëtimin me autobusë edhe me një dasmë më muzikë tallava e sipas saj shpesh në udhëtime edhe të zihet fryma për shkak të mungesës së klimatizimit dhe pirjes së duhanit.
Ky është reagimi i saj i plotë:
“Sikur udhëtarët të kishin vendosur rripin e sigurisë…”
Unë kam udhëtuar shumë shpesh nga Prishtina me autobus në disa qytete të Evropës. Si dhe kam udhëtuar me autobus nga qytete të ndryshme brenda Bashkimit Evropian. Dallimi i autobusëve në shtetet evropiane në krahasim me autobusët nga Kosova, sa i përket kushteve dhe aplikimit të rregullave, është i madh.
Në ulëset e disa autobusëve nga Kosova mungojnë rripat e sigurisë. Edhe po deshe të vendosësh rripin nuk mundesh. Përveç mungesës së rripave edhe ulëset janë të dëmtuara nganjëherë gjysmë të shtrira dhe nuk mund t’i lëvizësh fare në pozitë më të përshtatshme apo më të sigurt.
Gjatë verës dhe gjatë festave të fundvitit autobusët janë të stërmbushur. Një herë nuk mund të besoja se si disa prindër sollën fëmijët e tyre (15-16 vjeç) në autobus edhe pse nuk kishte vende të lira ata u pajtuan që fëmijët të qëndronin në këmbë. Disa flinin në dyshemenë e autobusit e disa mbanin fëmijët e tyre në prehër.
Udhëtimi me autobusë nga Kosova në qytetet e Evropës dhe anasjelltas është sikur të shkosh në një dasëm. Muzika tallava e nganjëherë edhe tymi i cigares e bëjnë atomsferën të duket sikur je në një aheng familjar e jo në një udhëtim ku ka rregulla e siguri.
Verës për shkak të tollovisë ka momente kur të zihet fryma nga mungesa e ajrosjes dhe klimatizimit. Dimrit bënë ftohtë e nuk ju punojnë as nxemëset.
Nuk është shërbim siç do të duhej të ishte është thjeshtë biznes. Kompanitë fitojnë shumë e investojnë pak. Shoferët kanë jetën e udhëtarëve në duart e tyre por ka momente kur edhe ata dështojnë sepse jo çdo gjë është nën kontrollin e tyre. Rruga e gjatë, lodhja, mungesa e gjumit ndikojnë në performancën e shoferëve.
U mendova disa herë nëse e vlenë të ndaj eksperiencën time por nuk po mundem të qëndroj e qetë. Kur po i kujtoj disa momente që edhe vet i kam përjetuar po trishtohem.
Kur autobusi ka kushte shumë të rënda nga jashtë jam shumë e sigurt që nuk jenë më mirë as pajisjet brenda. Kush e di se në çfarë gjendje i kanë frenat, gomat e pjesët tjera.
Në Komisionin Parlamentar për Mjedis dhe Infrastrukturë do ta trajtojmë këtë temë me urgjencë në mbledhjen e sotme që do të mbahet nga ora 13.00.
Kjo tragjedi të shërbejë si mësim për të gjithë ne. Për shtetin, bizneset dhe për qytetarët. Mos respektimi i rregullave vë në rrezik jetën e më të dashurve tonë si dhe vet jetën tonë.”