Në Ministrinë e Shëndetësisë të udhëhequr nga Arben Vitia, po vazhdon nepotizmi, raporton Gazeta Metro. Sipas mediumit, Ministri Vitia ka emëruar në Bordin për Shkollim Specialistik familjarë të zyrtarëve të ‘Listës Guxo’, me të cilët Lëvizja Vetëvendosje bashkëqeverisë me Kosovën.
Sipas Metro, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka emëruar Arsim Kurtin në Bordin për Shkollim Specialistik, i cili është vëllai i gruas se deputetit të ‘Listës Guxo’, Burim Karameta.
Po ashtu në këtë Bord, po del se ministri Vitia ka emëruar edhe Driton Velën, vëllanë e Blerim Velës i cili është edhe Shef i Stafit të kabinetit të presidentes, Vjosa Osmani.
Driton Vela përveç që është vëllai i Shef i Stafit të kabinetit të presidentes Osmani, ai në vitin 2019 ishte bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Tash jemi edhe më të fortë e më të përgatitur. Ai është asistent në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës dhe specialist i mjekësisë interne”, shkruante ndër të tjera në postimin e Vetëvendosjes, pas aderimet të Driton Velës në partinë e Kryeministrit Kurti.
Ditë më parë, mediat kanë raportuar edhe për raste të tjera të ‘rehatimeve’ familjare në pozita tjera në ministrinë e udhëhequr nga Arben Vitia.
Bëhet fjalë për Pranvera Osmani – Zhushi, motra e zëvendësministres së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Daulina Osmanit, që u raportuar se është punësuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në Këshillin Mbikëqyrës të Odës së Farmacistëve të Kosovës, me 15 korrik të këtij viti.