×
  • Lajme
  • Lajme

    Stafi i Ministrisë së Mbrojtjes neglizhent ndaj operatorit ekonomik, rrezikohen trajnimet fushore të FSK-së

    Reporteri
    02 Qershor 2019 | 20:18

    Autor: Blendi Gashi


    Disa parregullsi ka gjetur Auditori i Brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2018. Ndërto janë mos azhurnimi i dosjeve të personelit, vonesa në liferimin e mallrave, hartim të dobët të specifikave teknike të projekteve kapitale, vonesa në kryerjen e inventarizimit.


    Padyshim ndër gjetjet më të mëdha në Ministrinë e Mbrojtjes që drejtohet nga Rrustem Berisha i AAK-së është se si operatori ekonomik nuk ju kishte përmbajtur kushteve të kontratës për furnizim me pajisje fushore (karrika dhe tavolina) për nevojat e FSK-së, me vlerë 29,500 euro.

    Përkundër kësaj ministria nuk ka ndërmarrë masat për konfiskimin e sigurisë së ekzekutimit, siç ishte paraparë në kontratë, ku për shkak të mos furnizimit me këto pajisje janë shkaktuar vështirësi në realizimin e trajnimeve/ushtrimeve fushore të planifikuara të FSK-së.

    “Menaxheri i kontratës e kishte refuzuar pranimin e këtyre paisjeve, duke kërkuar që të sillen pajisje tjera konform specifikave të kërkuara, mirëpo OE ka dështuar t’i liferojë pajisjet sipas specifikave të kontraktuara. Përkundër mos përmbushjes së kësaj kontrate, ministria nuk ka ndërmarrë masat për konfiskimin e sigurisë së ekzekutimit, siç ishte paraparë në kontratë. Për shkak të mos furnizimit me këto pajisje janë shkaktuar vështirësi në realizimin e trajnimeve/ushtrimeve fushore të planifikuara të FSK-së Kjo ka ndodhur për shkak të moskujdesit të stafit të ministrisë në lidhje me përcjelljen e afatit të vlefshmërisë së sigurisë së ekzekutimit”, thuhet në raport.

    Auditori problem ka gjetur edhe tek dosjet e personelit. Vendimi i Qeverisë 06/29 të datë 15.05.2015 mbi dëshminë e përvojës së punës përcakton se vendimi i përvojës së punës bëhet pjesë e dosjes së personelit për secilin nëpunës dhe ruhet sipas legjislacionit në fuqi.
    Në 15 nga 40 mostrat e testuara nga Auditori në dosjet e personelit mungonte vendimi për njohjen e përvojës së punës. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së rishikimit formal i dosjeve të personelit nga ana zyrtarëve përgjegjës.

    Problem tjetër i kësaj ministrie është hartimi i dobët i specifikave teknike të projekteve kapitale.

    Auditi ka gjetur se njësitë kërkuese në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk kanë arritur të bëjnë analiza të mjaftueshme gjatë hartimit të kërkesave teknike (specifikacionit teknik) duke e përfshirë edhe hulumtimin e tregut në planifikimet e projekteve të përcaktuara.

    “Si rrjedhojë e kësaj, departamenti i prokurimit gjatë analizës së kërkesave i ka kthyer prapa së paku pesë kërkesa për shkak të specifikacioneve teknike (kur specifikacioni teknik ka qenë kufizues apo nuk ka përmbajtur të gjitha standardet e nevojshme të qëllimit të kontratës). Po ashtu, tetë kërkesa janë kthyer për shkak të planifikimit të dobët buxhetor (mungesa e hulumtimit të tregut për projekte të caktuara), dhe si rezultat i kësaj ministria ka pasur vështirësi në realizimin e planit të prokurimit konform afateve të parapara. Shkaku i ndodhjes së kësaj është se ka munguar një analizë e mirëfilltë nga njësitë kërkuese, dhe mungesa e kontrollit të brendshëm nga ana e akterëve përgjegjës për t’i eliminuar këto dobësi”, thuhet në raport.

    Auditori ka gjetur edhe vonesa në liferimin e mallrave.

    Në 2 nga 22 mostra që Auditori ka testuar, Operatori Ekonomik kishte pasur vonesa në liferimin e mallrave (nga 7 ditë deri në 40 ditë), ndërsa ministria nuk kishte aplikuar gjoba ndëshkuese.

    “Në rastin e parë ndëshkimet nuk janë zbatuar fare dhe vlera e tyre që duhej të llogaritet ishte 2,247€, ndërsa tek rasti i dytë, ato janë zbatuar pjesërisht, dhe shuma e pa kalkualuar e tyre ishte 313€. Kjo kishte ndodhur për shkak të pakujdesisë së zyrtarëve në zbatimin e ndëshkimeve të parapara në kontrata”, thuhet në raport.

    Kjo ministri ka vonesa edhe në kryerjen e inventarizimit. Auditori ka identifikuar se komisioni i inventarizimit e kishte dorëzuar raportin për inventarizimin e pasurisë me datën 19.02.2019, pra me vonesë prej rreth dy (2) muaj në krahasim me kërkesat e udhëzuesit. Kjo nënkupton se nuk është bërë harmonizimi i raportit të inventarizimit me regjistrat e pasurive para se të përgatiten PFV-të.

    “Shkaku për ketë është se Ministria e Mbrojtjes ka edhe shtatë kazerma në qytete tjera dhe nën komisionet e formuara për kryerjen e këtij procesi janë vonuar derisa kanë konsoliduar raportet e tyre individuale dhe kjo ka ndikuar që pastaj të ketë vonesa në tërë procesin e inventarizimit”, thuhet në raport. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!