×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata Speciale u ofron libra të paraburgosurve, thotë se biblioteka e saj ka qindra libra në shqip e gjuhë të tjera

    Reporteri
    28 Korrik 2021 | 19:02

    Autor: Mirlind Behluli


    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e të tjerët po vazhdojnë të mbahen në Hagë si të paraburgosur të Gjykatës Speciale. Këta të fundit kanë treguar se të paraburgosurit kanë qasje në bibliotekë ku gjendet qindra tituj të librave, por pa dhënë ndonjë informacionë mbi listën.


    Dhomat e Specializuara i kanë treguar Gazetës Online “Reporteri.net” se të paraburgosurit mund të lexojnë libra në gjuhën shqipe dhe gjuhë të tjera.

    “Biblioteka në të cilën kanë qasje të paraburgosurit përmban një larmi të madhe librash në shqip por edhe në gjuhën angleze. Biblioteka e shton rregullisht fondin e saj të librave. Të paraburgosurit janë të lirë të zgjedhin dhe gjithashtu të blejnë librat e tyre. Në bibliotekë janë në dispozicion qindra libra në shqip, anglisht dhe në gjuhë të tjera”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale për Reporteri.net.

    Tutje Specialja tha se “për arsye të privatësisë, DHSK-ja nuk ofron informata lidhur me atë se çfarë saktësisht lexojnë të paraburgosurit”.

    Ndryshe, “Reporteri.net” javën që shkoi ka shkruar për letrat që të paraburgosurit dërgojnë apo marrin nga jashtë e përmbajtjen e të cilave Specialja i lexon.

    Në përgjigjen e Dhomave të Specializuara thuhej se inspektimi dhe leximin e letrave që të paraburgosurit dërgojnë e marrin nga jashtë e bën zyrtari kryesor i paraburgimit.

    “Për më tepër, të paraburgosurit kanë të drejtë të korrespondojnë me letër dhe me pako. Sikurse kërkohet në rrethana të sigurisë së lartë të objektit të paraburgimit, zyrtari kryesor i paraburgimit hap, inspekton dhe lexon letrat e marra dhe të dërguara prej të paraburgosurve”, thuhej në përgjigjën e Speciales.

    E një veprim i tillë u kritikua nga juristët duke theksuar se në këtë mënyrë po cenohet konfidencialiteti i korrespondencës.

    Ndërkaq, Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtën e fshehtësisë së korrespondencës dhe se kjo e drejtë mund të cenohet vetëm me vendim gjyqësor me arsyetimin se është e domosdoshme për ecurinë e procedurës penale.

    Kujtojmë që ish-komandantët e UÇK-së po mbahen të paraburgosur në Hagë nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!