×
  • Lajme
  • Botë

    E fejuara e Khashoggit akuzon ShBA-në për fshehje të fakteve rreth vrasjes

    Reporteri
    31 Korrik 2021 | 14:09

    E fejuara e gazetarit të vrarë saudit, Jamal Khashoggi, i ka akuzuar autoritetet amerikane për fshehje të fakteve rreth vrasjes së tij dhe ka thënë se dështimi i tyre për transparencë do të mund të lejonte vrasje të ngjashme në të ardhmen.


    Hatice Cengiz, aktiviste dhe shkrimtare turke, tha se nëse qeveria amerikane nuk e zbulon atë që e di, kjo “do të dëshmonte se vlerat e ShBA-së dhe të gjitha vendeve të denja janë boshe dhe të pavlera”, shkruan Independent, transmeton Gazeta Express.

    “Qeveria e ShBA-së duhet t’i publikojë të gjitha të dhënat që ka rreth vrasjes së Jamal-it në mënyrë që të dalë e vërteta. Nuk ka arsye për t’i fshehur faktet”, i tha ajo gazetës së njohur britanike.

    Më herët këtë vit, një raport i inteligjencës amerikane tha se besohet që princi i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman, kishte dhënë urdhër për vrasjen e gazetarit në tetor të vitit 2018, pasi ishte zemëruar nga kritikat e tij për vendin që e udhëheq princi.

    Në raportin e Zyrës së Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare u vlerësua se princi Bin Salman e kishte miratuar vrasjen dhe kishte caktuar disa agjentë sauditë, të cilët besohet se e vranë gazetarin Khashoggi brenda konsullatës saudite në Stamboll, para se t’ia copëtonin trupin me sharrë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!