Instagrami e ka bllokuar atleten e Xhamajkës, Elaine Thompson-Herah, pasi kampionia e dyfishtë olimpike kishte shpërndarë pamje nga triumfi i vet në Lojërat Olimpike në Tokio.
Thompson-Herah e postoi një video të familjes së vet duke i festuar medaljes e saj të arta në 100 dhe 200 metra, bashkë me pamje televizive nga gara, raporton Gazeta Express.
Pak më vonë, ajo e kuptoi se nuk kishte më qasje në llogarinë e vet në Instagram.
“Instagrami më bllokoi për postimin e pamjeve nga gara e Olimpiadës, sepse nuk i zotëroja të drejtat për ta bërë një gjë të tillë. Shihemi pas dy ditëve”, shkroi sprinterja në Twitter, duke iu referuar paraqitjes në garën 4×100 metra, ku do ta ketë mundësinë ta fitojë medaljen e tretë të artë olimpike.
Asaj iu lejua qasja në llogarinë e vet në Instagram disa orë më vonë.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) i zotëron të drejtat e autorit për lojërat dhe është i rreptë në këtë aspekt.
IOC-ja i fitoi 4 miliardë dollarë vetëm nga të drejtat e transmetimit prej Lojërave Olimpike Dimërore 2018 dhe prej Lojërat Olimpike Verore 2020.
“Transmetuesit që i mbajnë të drejtat (RHB) kanë të drejtë ekskluzive për t’i transmetuar Lojërat Olimpike, këtu përfshihet edhe shpërndarja e pamjeve në rrjetet sociale, ku atletët janë të ftuar ta shpërndajnë përmbajtjen e ofruar nga RHB në llogaritë e tyre, por ata nuk mund të postojnë pamje nga garat në mënyrë të përvetësuar. Nëse ndodh kjo, atëherë përmbajtja e tillë do të fshihet automatikisht nga platformat e rrjeteve sociale”, ka njoftuar IOC-ja.
Thomspon-Herah i fitoi medaljet e arta në 100 dhe 200 metra edhe në Rio 2016.