Autor: Blendi Gashi
Partia Demokratike e Kosovës sot nga ora 16:00 pritet që të zgjedhë kryesinë e re në një mbledhje të Këshillit Drejtues.
Gazeta Online “Reporteri.net”, ka mësuar se një nga emrat që mund të jetë pjesë e Kryesisë së re të PDK-së është edhe ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe i Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu.
Burime të Gazetës Online ‘Reporteri.net’ brenda PDK-së kanë bërë të ditur se kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi i ka paralajmëruar zyrtarët tjerë të partisë së tij se ai do ta sjell Sejdiun në PDK.
“Kryetari ynë Memli Krasniqi na ka thënë se do ta sjellë Dardan Sejdiun në parti. Por nuk e di tash nëse ky i fundit do ta pranojë ofertën apo jo”, tregon ky burim.
Reporteri.net ka provuar ta marrë një përgjigje nga Sejdiu, për ta pyetur nëse do t’i bashkohet PDK-së dhe nëse do të bëhet pjesë e kryesisë së kësaj partie, por komunikimi me të ka qenë i pamundshëm.
Përveç Sejdiut, Reporteri.net mëson se edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, do t’i bashkohet sot PDK-së. Madje, si anëtar i kryesisë së re.
Ndërkaq, profesori universitar, Rrahman Paçarizi, emri i të cilit u raportua se do të jetë pjesë Kryesisë së re të PDK-së e ka mohuar një gjë të tillë.
Ndërkaq, burimet bëjnë të ditur se pjesë e kryesisë së PDK-së do të bëhen edhe Bekim Çollaku dhe Uran Ismaili. /Reporteri.net/.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.