×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata e Apelit e kthen në rivendosje rastin e Liburn Aliut dhe të tjerëve

    Reporteri
    05 Gusht 2021 | 16:34

    Pas Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte hedhur poshtë aktakuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj Liburn Aliut dhe disa zyrtarëve të tjerë, Apeli ka vendosur që ta kthej rastin në rivendosje.


    Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në çështjen penale për rastin ku i akuzuar është ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi.

    “Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, i datës 14.06.2021, është anuluar dhe çështja i kthehet Gjykatës së njëjtë në rivendosje”, thuhet në njoftimin e Apelit.

    Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, me aktvendimin e datës 14.06.2021, kishte hedh aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 24.07.2020 dhe kishte pushuar procedurën penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K.,B.U. dhe M.B-P.

    “Gjykata e Apelit e Kosovës pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe ankesës së PTH-së në Prishtinë, në këtë çështje penalo-juridike, vlerësoj se aktvendimi i ankimuar duhet anuluar dhe kthyer në rivendosje”.

    Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik të vitit të kaluar e ngarkon Aliun me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

    Përveç Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar ishin të akuzuar edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!