Një delegacion i Kongresit Pan-Shqiptar Amerikan (PAAC) ka qëndruar këto ditë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut, ku kanë pasur takime me krerët e lartë të shtetit.
Delegacioni i PAAC i kryesuar nga Kryetari Bruno Ceka, Nënkryetari Vullnet Dervishi, Arkëtari Gezim Rushiti, Anëtari i Bordit, Genc Mulliqi dhe Drejtori Ekzekutiv, Martin Vulaj në Kosovë u takuan me Presidentin Osmani, Kryeministrin Kurti, Kryetarin e Kuvendit, Galuk Konjufca, Kryetarin e PDK -së, Memli Krasniqi, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku si dhe Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett.
Ndërkaq në Shqipëri, delegacioni PAAC u takua me Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Ambasadoren Juri Kim.
Në Maqedoninë Veriore, PAAC kishte takime Ali Ahmetin dhe Ziadin Selën.
Në një njoftim nga PAAC thuhet se diskutimet u përqëndruan rreth nevojës për zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve midis institucioneve shtetërore dhe diasporës në Shtetet e Bashkuara, që ka qenë tradicionalisht shumë aktive në përpjekjet e tyre për të përmirësuar jetën e popullit shqiptar.
“Nevoja për të krijuar marrëdhënie strukturore me shkëmbimin e rregullt të informacionit që do të lehtësonte avokimin, edukimin dhe investimin më efektiv, ishte qendra e diskutimeve.
Çdo drejtues institucional dhe partiak u pajtua se ky është një hap thelbësor në forcimin e lidhjeve midis popullit shqiptar dhe atij amerikan, duke konsoliduar fuqinë dhe efikasitetin e diasporës”, thuhet në njoftim.