×
Opinione

Rënia (II): Marrëzitë e “dhisë” 

Reporteri
09 Gusht 2021 | 12:24

Autor: Afrim Kasolli


Kjo dëshirë e ethshme për ta kërkuar fluturimin politik në pakt me zhgabonjën, ka qenë burim i shumë dramave, traumave, shthurjeve dhe perversiteteve të panumërta humane në shumë vende diktatoriale. Një pjesë e mirë e letërsisë, kinematografisë dhe krijimeve tjera kulturore dhe artistike është ngjizur nga kjo nevoje për ta përshkruar dhe zbardhëllyer këtë ferr dhe skëterrë politike.


Në këtë drejtim një kontribut të jashtëzakonshëm pa mëdyshje se na e ofron edhe shkrimtari ameriko-latin Marios Vargas Losa në veprën e tij të njohur “The Feast of the Goat”. Në këtë roman politik, të ekranizuar si film në vitin 2005,  pasqyrohet dominimi i Rafael Leonidas Trujillo–së, diktatorit famëkeq të Republikës Dominikane. Cenet, marrëzitë, trillet dhe sjelljet e tij, të lemerisin edhe sot. Ai është një rast tipik i pasojave të pariparueshme psikologjike, morale, shoqërore dhe politike që prodhohen nga varësia absolute ndaj Liderit. Rrethi i tij i ngushtë gradualisht transformohet në lodër për apetitet e tij. Gratë e tyre shndërrohen në objekt të kënaqësive të tij orgjike.

Ky rrëfim fillon më rikthimin e Uranita Cabral në Santo Domingo, për ta vizituar babain e saj të paralizuar Augustin Cabral, një ish-eksponent i lartë i regjimit të Trujillos.

Me anë të këtij rikthimi Uranita, një  avokate e cila një kohë të gjatë kishte jetuar dhe vepruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkon ta kuptojë  të vërtetën për traumat, dhimbjet dhe vuajtjet e saj. Ta gjurmojë  etiologjinë e tyre. Të çlirohet nga pesha ndrydhëse e fantazmave neurotike që e ndjekin që nga adoleshenca. Të ballafaqohet me burimin e fatkeqësisë së saj. Prandaj ajo vendos ta vizitojë  pas tri dekadave vendin e origjinës së krimit. Dhe në rrëfim e sipër zbulohet e vërteta. Në fillim i ati i saj ishte një vartës i përulur i diktatorit Rafael Trujillo. Në këmbim të këtij shërbimi ai gëzonte privilegje, pushtet dhe pozitat më të larta shtetërore dhe politike në vend. Mirëpo, gremisja e tij fillon kur rrjedha e ngjarjeve merr një kthesë të befasishme dhe të papritur.

Ky shërbëtor i devotshëm i pushtetit merr guximin t’i kërkojë  sundimtarit llogari për torturimin dhe vrasjen mizore të motrave Mirabal nga policia sekrete e tij. Siç dihet persekutimi dhe eliminimi i këtyre aktivisteve për të drejtat njeriut, të cilat ishin kundërshtare të regjimit në fuqi, shkakton një jehonë ndërkombëtare. I nevrikosur, xhindosur dhe lënduar në sedër nga ky guxim i tepruar i Augustin Cabralit, diktatori Trujillo i njohur me pseudonimin “Dhia” e fillon torturimin gradual të Cabralit. Hap pas hapi e zhvesh nga pushteti. I tregon se të mirat që i ka gëzuar deri me tani kanë qenë dhuratë për shkak të nënshtrimit, lojalitetit të verbër dhe jo nga ndonjë vlerë tjetër. E shndërron në hiç. Pa relevancë politike dhe publike. E izolon totalisht. Kjo jetë e re shkretane që i përngjason një të përhumburi në humnerë, bëhet e padurueshme për ish-eksponentin e regjimit. E papërballueshme. Siflitëse dhe tmerruese. Prandaj Augustin Cabral kërkon me çdo kusht ta rifitojë  dashurinë e humbur të liderit. I fillon përpjekjet për këtë aventurë. Mirëpo, kushti i rikthimit në lartësitë e Olimpit politik është i tmerrshëm. E bija e tij adoleshente duhet të bëhet peshqesh për një natë për manitë seksuale të Trujillos. Augstin Cerbral pajtohet me këtë ofertë. E pranon dhunimin e vajzës vetëm që ta ripërvetësojë namin e nëpërkëmbur. Besoj se nuk ka ngjashmëri më ta madhe ndërmjet rrëfimit mitik “Qerosi në botën e poshtme” dhe këtij përfundimi trishtues.

Fenomene të tilla patologjike, veçanërisht në demokracitë e pakonsoliduara, shfaqen edhe sot,  megjithëse nuk mund të themi në këto përmasa brutale. Variante të zbutura të këtyre shpërfytyrimeve deri më tani janë hasur edhe në partitë tona politike. Shpesh herë ato u kanë përngjasuar hapësirave “laboratorike” ku janë manifestuar manitë sado-mazohiste në relacionet ndërmjet liderit dhe vartëseve të tij. Insistimi për ta gëzuar pambarimisht “statusin e VIP-it dhe shmangur me çdo kusht shndërrimin në NIP (non important person)”, është shoqëruar me shumë trauma, ankthe dhe gatishmëri për varësi të plotë ndaj Liderit të partisë. Ky proces ka qenë rrënues në aspektin psikologjik, moral dhe politik. (Për këto fenomene dhe për rastet konkrete të atyre që sot defilojnë dhe spitullohen në skenën tonë politike, si dhe për rënien e tyre të brendshme për ta fituar ngritjen e jashtme dhe për depersonalizmin e tyre, do të shkruaj në një nga shkrimet e ardhshme).

Ndërmjet Spartës dhe Athinës

Variantet e sipërpërmendura të rënies psikologjike, personale dhe morale pashmangshëm kanë edhe implikime politike. Mbi këto kushte formësohet substrati ku mpiksen rrethanat për shkapërderdhje të përgjithshme sociale dhe politike. Mirëpo, edhe në këtë rast ekzistojnë dy modele të njohura, shthurjen e të cilave e ka përshkruar në mënyrë brilante Hegeli në ligjëratat e tij mbi “Filozofinë e historisë”. Sipas këtij filozofi, qyteti-shtet i Athinës dhe i Spartës u davaritën nga e skena e historisë njerëzore, në të njëjtën kohë, por për arsye dhe shkaqe krejt të ndryshme. Athina e përjetoi një shembje tragjike.

Për shkak të zhvillimit të vetëdijes njerëzore, qytetarët e këtij polisi nuk ishin në gjendje ta duronin pafundësisht mosverifikimin subjektiv të rregullave, normave dhe standardeve morale, politike dhe kushtetuese, të cilat e formësonin jetën kolektive të këtij rendi, me një fjalë karakterin objektiv universal të tyre. Sokrati e hapi shtegun e këtij kontestimi. Ndërkaq me inaugurimin e kësaj nisme hovëzoi edhe shtytja për afirmimin  e interesave dhe qëllimeve partikulare. Instalimi i këtij “principi, i ngjashëm me atë të Sokratit, bazohet në besimin se ajo që duhet të konsiderohet e drejtë, e mirë dhe dobishme si për subjektin në raport më vetveten, ashtu edhe në relacion me shtetin, varet nga përcaktimi i tij i brendshëm dhe jo nga themeli i jashtëm universal”. Megjithatë parimi i vetë-përcaktimit individual do të shndërrohet në varrmihës shkatërrimtar për popullin e Athinës, sepse si i tillë nuk ishte identik me rregullat e jetës së asaj shoqërie. Prandaj, me këtë kthim prej të përgjithshmes kah vetvetja u vulos dezintgerimi i atij formacioni unik në historinë e njerëzimit. Kështu gradualisht “mendja dhe fryma” e athinasve u zhduk nga bota. Megjithatë nga hiri i saj u ngjiz një frymë më e lartësuar nga e cila u avancua vetëdija njerëzore. Dënimi me vdekje i Sokratit dhe shkatërrimi i vetvetes ishte çmimi që Athina e pagoi për këtë mision sublim. Nga kjo çarje tragjike lulëzuan parime më të larta, e të cilat u dëshmuan si principe vendimtare në zhvillimin e historisë së filozofisë.  Në këtë mënyre edhe në rënie “Fryma e Athinës” e dëshmoi madhështinë e saj magjike.

Të njëjtat nxitje dhe pasione e kapërthyen edhe Spartën. Sepse sipas Hegelit edhe këtu individualiteti mori jetë kundër “substancës së përbashkët morale të komunitetit”. Mirëpo mjerisht këtu “subjektiviteti partikular e shfaqi vetën si korrupsion i hapur, imoralitet i zbrazët, egoizëm vulgar dhe ryshfet i pamaskuar”. Të gjitha këto pasione e formonin pellgun e veseve ku banonin zyrtarët e lartë të këtij shteti, të cilët pjesën me të madhe të kohës jetonin të distancuar nga vendi i tyre dhe duke shfrytëzuar çdo shans të mundshëm për të siguruar përfitime personale dhe familjare në dëm të shtetit. Është ky fakt që e dallon shthurjen e Athinës  katërçipërisht nga ai i Spartës. Sepse e shembja e të parës u nxit nga mendimi, kurse e të dytës nga korruptimi. Prandaj rënia e saj është e palavdishme. Dhe ka mbetur një ngjarje e errët në faqet e historisë.

Athina dhe Sparta vazhdimisht e kanë përsëritur veten si modele. Fundi i të parës parashkruhet nga shtytja individuale për mendim. Kurse i të dytës nga pasionet personale për përvetësim. Nga e para shpeshherë lindin fraksione, herezi, çmontohen dogma, lulëzon dyshimi dhe mendimi kritik, kurse nga e dyta vetëm oligarkia. Prandaj e para ngjall admirim dhe dyta përçmim. Dhe po ashtu kjo e fundit privohet nga parimi i ringritjes, për dallim prej modelit tragjik, që nëpërmjet parimit të Njohjes e avancon vetveten. Fantazma e Spartës dhe Athinës nuk i është shqitur asnjëherë njerëzimit. Kjo dilemë është aktuale edhe sot.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!