×
  • Lajme
  • Lajme

    Specialja refuzon kërkesën e avokatëve të Nasim Haradinajt, nuk përjashton nga gjykimi kryetaren dhe zv.kryetarin e saj

    Reporteri
    10 Gusht 2021 | 19:04

    Avokatët britanikë të Nasim Haradinajt, që po mbahet i paraburgosur në Hagë nga Gjykata Speciale, ditë më parë kërkuan përjashtimin e kryetares së kësaj gjykate Ekaterina Trendafilova dhe të zv.presidentit Charles L. Smith, që është gjyqtar në rastin e ish-nënkryetarit të OVL të UÇK. Përjashtimi apo diskualifikimi u kërkua për “abuzim të autoritetit” mbi ndjekjen penale të Haradinajt. E tashmë ka ardhur përgjigja nga Gjykata Speciale për avokatët e ish-komandantit të UÇK-së.


    Në vendimin e publikuar së fundmi, Specialja ka refuzuar ankesën e avokatëve britanikë, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Gjykata “hedh poshtë kërkesën për përjashtimin apo diskualifikimin e Presidentit të DHSK-së në lidhje me funksionet gjyqësore dhe administrative. Hedh poshtë si të diskutueshme kërkesën për përjashtimin apo diskualifikimin e zëvendës presidentit”, thuhet në vendim.

    Ndërkaq sa i përket deklaratave të Trendafilova në një takim konfidencial diplomatik, të cilat Mbrojtja i konsideronte si minim të gjyqësorit të pavarur dhe të paanshëm, Specialja ka sqaruar në vendim se presidentja përfaqëson këtë organ në takime si takime vjetore përfshirë ato me shtetet që financojnë apo kontribuojnë në financimin e DHSK-së.

    Tutje në vendim thuhet se kërkesa për përjashtim e mbrojtjes së Haradinajt, bazohet në keqinterpretime të komenteve të bëra në takimet që kryetarja e Speciales kishte me shtete të ndryshme.

    “Parashtrimet e Mbrojtjes në këtë drejtim bazohen ekskluzivisht në keqinterpretimin e tyre të komenteve të bëra në takime diplomatike dhe të nxjerra nga shënime përmbledhëse të një burimi anonim. Prandaj, Presidentja refuzon të përjashtojë vetën mbi bazën e argumenteve të Mbrojtjes nga ushtrimi i funksioneve administrative në këtë rast të caktuar nga kuadri ligjor i DHSK-së”, thuhet tutje në vendim, përcjellë Reporteri.net.

    Specialja i është përgjigjur kërkesës së Mbrojtjes edhe në lidhje me përjashtimin gjyqësor të kryetares së këtij institucioni.

    Në vendim thuhet se kryetarja e DHSK-së nuk ka asnjë kapacitet juridik në çështjen e Nasim Haradinajt, prandaj kërkesa e Mbrojtjes hidhet poshtë.

    Specialja e ka hedhur poshtë njëjtë edhe kërkesën për përjashtimin e zv.kryetarit të DHSK-së dhe gjyqtarit Smith nga çështja Haradinaj.

    Këtë vendim e ka nënshkruar kryetarja e DHSK-së, Ekaterina Trendafilova, përjashtimin e të cilës e kërkoi Mbrojtja e Haradinajt.

    Kujtojmë që avokatët e ish-nënkryetarit të OVL të UÇK-së kanë kërkuar përjashtimin e kryetares, zv.kryetarit dhe gjyqtarit Charles Smith nga çështja me arsyetimin se po ia mbajnë anën Zyrës ë Prokurorit të Specializuar dhe në këtë formë po minojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës.

    Nasim Haradinaj akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshinë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen dhe shkeljen e fshehtësisë së procedurës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!