×
  • Lajme
  • Botë

    Keqmenaxhimi i pandemisë, jep dorëheqjen kryeministri i Malajzisë

    Reporteri
    16 Gusht 2021 | 11:52

    Kryeministri malajzian Muhindin Yassin ka dhënë dorëheqjen pas trazirave politike që kanë përfshirë vendin por do të shërbejë si kryeministër derisa të emërohet një kryeministër i ri.


    Kryeministri dhe qeveria e tij dhanë dorëheqjen pas 17 muajsh në pushtet, pas kritikave të shumta për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit. Sipas zyrtarëve qeveritarë, mbajtja e zgjedhjeve nuk është opsioni më i mirë dhe Mbreti Al Sultan Abdullah mirëpriti vendimin e Muhiddin si kryeministër në detyrë.

    Gjatë një fjalimi televiziv, Mukhidin tha se i kishte dorëzuar dorëheqjen mbretit sepse kishte humbur besimin e shumicës së ligjvënësve, duke shtuar se një qeveri e re do të formohej sa më shpejt që të ishte e mundur.

    Kryeministri i Malajzisë erdhi në pushtet në mars të 2020 pa zgjedhje dhe udhëhoqi një qeveri koalicioni pas rënies së qeverisë së Mahathir Mohamad, një figurë kryesore në politikën e vendit.

    Mukhidin Yassin shtyu për muaj me radhë zgjedhjet duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së koronavirusit. Kryeministri 74-vjeçar u përpoq të qëndrojë në pushtet por pasi nuk arriti të sigurojë mbështetjen e parlamentarëve, vendosi të dorëhiqej.

    Mbreti tha se nuk ishte e përshtatshme të mbaheshin zgjedhje gjatë një pandemie, në një kohë kur numri i viktimave dhe rasteve për miliona njerëz në Malajzi është ndër më të lartat në Azinë Juglindore.

    Vendimi tani i takon mbretit, i cili mund të emërojë një kryeministër duke zgjedhur një nga deputetët e zgjedhur në bazë të atij që ai beson se mund të fitojë një shumicë. Vendi me 32 milion njerëz po përballet me një valë të madhe të rasteve të COVID-19, e cila është shumë e vështirë të mbahet në kontroll, me dhjetëra mijëra raste të reja çdo ditë, ndërsa ekonomia e vendit po përballet me probleme për shkak të bllokimeve dhe masave kufizuese të vendosura nga qeveria.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!