×
  • Lajme
  • Lajme

    OEK dhe Platforma CiviKos me rekomandime të përbashkëta për vaksinim masiv

    Reporteri
    16 Gusht 2021 | 13:06

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, dhe drejtoresha Ekzekutive e Platformës CiviKos, Donika Emini, kanë mbajtur sot një konferencë të përbashkët për media për të shpalosur rekomandimet e tyre rreth zhvillimeve të fundit të përballjes me pandeminë dhe mundësinë për rritjen e shifrave të vaksinimit në Kosovë.


    Këto rekomandime janë përpiluar pas konsultimeve me përfaqësues biznesesh dhe partnerë nga shoqëria civile, të cilat janë bërë gjatë kohës që po zhvilloheshin aktivitetet e projektit Rindërto Më Mirë (BuildBackBetter).

    Rritja e numrit të të infektuarve dhe vaksinimi i ngadaltë, kanë ngritur shqetësimet për mbyllje të reja që do të rezultonin me situatë ekonomike të vështirësuara për sektorin privat dhe familjet që varen tërësisht nga të ardhurat e këtij sektorit.

    Ndaj, në shenjë të adresimit të këtyre shqetësimeve dhe në shenjë kontributi në përpjekje për të menaxhuar dhe luftuar pandeminë, partnerët e projektit, gjegjësisht OEK dhe CiviKos, kanë përmbledhur këto rekomandime të dala nga diskutimet e lartpërmendura:

    Heqja e burokracisë në rezervimin e terminëve për qasje më të lehtë e të thjeshtësuar të qytetarëve.

    Mundësimi i vaksinimit në qendrën më të afërt, pa marrë parasysh vendbanimin e regjistruar zyrtarisht.

    Vaksinimi përmes ekipeve mobile nëpër biznese, pasi që aktiviteti i tyre ekonomik po pengohet nga oraret e limituara e ndërkohë rrezikshmëria nga kontakti me njerëz duke qenë të pa vaksinuar rritet.

    Ekipe mobile të vaksinimit për vendet më rurale e të izoluara, e sidomos ato që banohen kryesisht nga komunitetet e kanë përgjithësisht më pak qasje në informata të sakta.

    Riorganizim i resurseve të punëtorëve të shëndetësisë në atë mënyrë që oraret e vaksinimeve të vazhdojnë edhe në vikend. Kjo sidomos e rëndësishme duke ditur që shumë qytetarë e kanë të pamundur të vaksinohen gjatë ditëve të punës, aq më tepër nëse punojnë në qytete të tjera larg vendbanimit të tyre të regjistruar.

    Vaksinimi në sheshet e qendrave kryesore në vend për të arritur shifra që përkojnë me një vaksinim masiv të vendit.

    Bashkëpunimi me shtete të tjera për t’u siguruar që pasaporta jonë e vaksinimit do të pranohet si dëshmi nga ato shtete për të penguar pengesat eventuale në lëvizjen e lirë.

    Mes tjerash, është konkluduar se është shumë e rëndësishme që të ketë kampanja të mirëmenduara dhe në bashkëpunim me hisedarë të ndryshëm, në mënyrë që të ketë një përpjekje më të madhe e më të përbashkët për të përçuar informatat e sakta tek qytetaret rreth të pavërtetave dhe mitet për vaksnimin, pasi kjo vaksinë është i vetmi mjet që kemi momentalisht kundrejt COVID-19.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!