Report Tv ka zbardhur dinamikën e plagosjes së 27-vjeçarit Tauland Beqiri, në një dhomë hoteli tek kompleks ‘Gjilani’.
Në dosjen hetimore autori i plagosjes Eidson Vyzaj, 28-vjeç, shok i Beqirit, tregon se plagosja ndodhi nga pakujdesia dhe se nuk kishte në plan ta lëndonte mikun e tij të ngushtë. Autori i plagosjes, Edison Vyzaj rezultonte me precedent të mëparshëm penal, pasi në Itali ishte kapur duke vjedhur me armë nëpër vila si dhe me lëndë narkotike.
Edison Vyzaj shprehet para hetuesve se gjatë gjithë ditës ishin në plazh dhe kur shkojnë në dhomën e hotelit rreth orë 20:00 të mbrëmjes, Taulandi shkon para dhe ai më pas. Sipas 28-vjeçarit kur është futur në dhomë ka parë Taulandin me armë në dorë dhe ia ka marrë duke i thënë “mos luaj me armë, çfarë po bën’, por në atë moment arma është shkrepur pa dashje duke e plagosur Taulantin në pjesën e barkut.
“Kishim ardhur në Ksamil për pushime së bashku me Tauland Beqirin. Gjithashtu, me ne ka ardhur edhe një shtetas nga Sri Lanka, Makawitage Perera. Dolëm nga dhoma, rreth orës 10:00 dhe kemi shkuar në plazh ku kanë qëndruar deri rreth orës 20:00 dhe më pas jemi kthyer në hotelin ku kishin zënë dhomën i cili quhet Hotel “Gjilani”. Në dhomë isha me Taulandi dhe shtetasin e huaj Perera. Kur u kthyem nga plazhi, Taulandi shkoi i pari në dhomë, ndërsa unë vetë me disa shokë po rrija në parkingun e hotelit. Pas pak minutash hipa në dhomë dhe sa hapa derën, pashë Taulandin i cili kishte në dorë një armë zjarri. Menjëherë tentova t’ia heqë nga dora dhe në momentin që ia mora armën, ajo ka shkrepur”, tha në dëshminë e tij 28-vjeçari.
Sipas dëshmisë së 28-vjeçarit, në momentin që shkrepi arma, Taulandi i tha se çfarë po bënte, por i dyshuari nuk e kishte kuptuar dhe vazhdonte t’i bërtiste pse lozte me armën. Në një moment i ka ngritur bluzën Taulandit për ta parë për merak dhe aty ka kuptuar që e kishte plagosur.
Eidson Vyzaj deklaron se “e ka marrë Taulandin për krahu dhe e ka zbritur poshtë duke kërkuar ndihmën e personave që ishin në parkingun e lokalit dhe duke u thënë që të njoftonin ambulancën. Duke qenë se ambulanca po vonohej, me sa mban mend, e kanë hipur në një makinë dhe e kanë nisur drejt spitalit ndërsa armwn i ka dhënë shtetasit të huaj Perera dhe më pas nuk e di se çfarë ka ndodhur më”.
28-vjeçar sqaron se me Taulandin nuk ka asnjë konflikt, përkundrazi, e ka shumë shok dhe shprehet se është shumë i tronditur nga ajo që ka ndodhur.
Ndërsa në dëshminë e shtetasit të huaj Makawitage Perera thuhet se si ka marrë armën dhe e ka hedhur në lulishten e hotelit së bashkë me gëzhojën dhe se nuk di se çfarë ka ndodhur tjetër.
Ndërkohë që ditën e sotme Gjykata e Sarandës, ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Edison Vyzaj dhe Makawitage Perera. Ndërsa për 27-vjeçarin që mbeti i plagosur është dhënë masa e sigurisë “Arrest shtëpie” për veprën penale” Mos kallzim krimi” dhe “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”.