×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova ‘kampion’ për raste të reja me COVID-19 në rajon, Shqipëria numrin më të ulët të infektimeve

    Reporteri
    18 Gusht 2021 | 12:03

    Numri i rasteve të reja pozitive me coronavirus ka filluar që të rritet sërish në të gjithë rajonin. Mesataren më të lartë për infektimet e reja e ka Kosova me 1,142 raste.


    Në Kosovë numri në rritje i infektimeve me COVID-19 ka marrë përmasa shqetësuese.

    Dita e 17-të e muajit gusht, vendin tonë e gjeti me rekord të rasteve ditore me coronavirus, ku u konfirmuan gjithsej 1 mijë e 765 raste pozitive, ndërsa pesë persona humbën jetën si pasojë e infektimit me virusin corona, shkruan Reporteri.net.

    Gjendja pak më e mirë duket të jetë në Shqipëri, ku të martën u regjistruan 451 raste të reja pozitive, teksa mesataren e infektimeve në shtatë ditë e ka 342.

    E në Mal të Zi, mesatarja e rasteve të reja me COVID-19 në shtatë ditë është 397, ndërkohë që të martën u konfirmuan 548 raste të reja.

    Numër i lartë i infektimeve me coronavirus u regjistrua edhe në dy vendet e tjera me të cilat kufizohet Kosova, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.

    Madje pas Kosovës, Serbia zë vendin e dytë për numrin më të lartë të infektimeve më datë 17 gusht, ku u konfirmuan gjithsej 1 mijë e 484 raste të reja, teksa mesatarja në shtatë ditë është 1 mijë e 081 raste.

    Ndërsa Maqedonia e Veriut mesataren e rasteve të reja në shtatë ditë e ka 682, teksa të martën 995 qytetarë rezultuan pozitivë me COVID-19.

    Ndërkohë në Kosovë veçse ka filluar shtrëngimi i masave anti-COVID.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të martën në një konferencë për medie, bëri të ditur se do të propozohet mbyllja e klubeve të natës, reduktimi i orarit të lokaleve të gastronomisë dhe do të ketë masa të reja për mbarëvajtjen e dasmave dhe ahengjeve tjera familjare.

    Vitia ka thënë se do të kërkojë nga autoritetet shtetërore për zbatimin e rreptë të masave të reja, të cilat pritet të votohen sot në mbledhjen e Qeverisë.

    Kështu, sipas këtyre masave,  që pritet të hyjnë në fuqi më 20 gusht, klubet e natës do të qëndrojnë të mbyllen deri më 1 shtator ndërsa restorante dhe baret do të qëndrojnë të hapura deri më orën 22:30.

    Sa i përket sallave të dasmave do të funksionojnë deri në orën 22:30, me kapacitet të mysafirëve deri 150.

    Përveç masave kufizuese, ministri Vitia shtoi se do të rekrutohen 1 mijë punonjës shëndetësorë, do të shtohet dita e shtunë për t’u vaksinuar dhe do të shtohen kapacitetet në të gjitha qendrat e vaksinimit në Kosovë. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!