Pesëmbëdhjetë futbolliste afgane nga ekipi i Heratit, kampion i Afganistanit, dyshohet se janë arratisur në Iran. Ndërkohë që nuk ka asnjë lajm për gjashtë të tjera. Ky është alarmi i ngritur nga OJQ-ja e drejtuar nga Florence Cospe, e cila ka bashkëpunuar me këtë ekip futbolli në projektet e saj.
“Sapo ishte i qartë pushtimi i shpejtë i talebanëve, shumë ikën dhe duket se arritën në Iran, – thotë Silvia Ricchieri, bashkëpunëtore prej vitesh në Afganistan. – Ato janë të reja dhe beqare, për to, rreziku i dhunës dhe hakmarrjes nga talebanët është shumë i lartë. Fatkeqësisht nuk kemi asnjë lajm për gjashtë vajza dhe as për trajnerin e tyre. Ne jemi shumë të shqetësuar”.
Disa ditë më parë, ish-kapitenia e ekipit kombëtar të grave afgane, Khalida Popal, në një intervistë për “Reuters”, u kishte kërkuar futbollisteve të vendit të saj që të fshinin llogaritë e tyre sociale dhe të digjnin pajisjet e tyre elektronike si masë sigurie: “Për mua është e dhimbshme ta them këtë, sepse bëra gjithçka për të fituar mundësinë për të pasur një ekip kombëtar të femrave dhe për të qenë në gjendje të luaja atje”.
Pas rënies së regjimit taleban në vitin 2001, futbolli kishte filluar të përhapej me frikë edhe tek vajzat. Mbi një mijë lojtare u regjistruan në shoqatat aktive në gjashtë provinca të vendit – Herat, Bamyan, Ghazni, Joëzjan, Balkh dhe kryeqytetin Kabul, ku kishte 22 ekipe. Kishte një kampionat dhe një ekip kombëtar të grave.
E themeluar në vitin 2007, skuadra kombëtare e femrave të Afganistanit, kishte marrë pjesë në disa turne ndërkombëtarë vitet e fundit (në 2014, kishte përfunduar e treta në Lojërat e Azisë Jugore). Ndeshja e parë zyrtare ndërkombëtare u luajt në 2010 kundër Nepalit.
Ajo që është e pasigurt, dhe në rrezik, nuk është vetëm fati i lojtareve, por i të gjithë sportisteve afgane.
Zakia Khudadadi, para pak ditësh duhej të kishte mbërritur në Tokio për t’u bërë atletja e parë afgane që do të garonte në Paralimpiadën.
“Të gjitha fotot dhe videot e mia transmetohen në botën virtuale dhe unë jam duke pritur që diçka të ndodhë me mua dhe familjen time në çdo kohë, – tha ajo. – Ky është kulmi i frikës dhe panikut”.
Në Lojërat e fundit në Tokio, Afganistani mori pjesë me një delegacion të përbërë nga vetëm pesë atletë. Ekipi i tij kombëtar i futbollit, i 153-ti në renditjen e FIFA-s, nuk ka arritur kurrë të kualifikohet për Kupën e Botës.