×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbi 700 mijë doza, VV jep shifrat e të vaksinuarve në Kosovë

    Reporteri
    21 Gusht 2021 | 21:19

    708 mijë e 327 doza të vaksinës anti-COVID janë dhënë deri më tani që nga fillimi i procesit të vaksinimit në Kosovë.


    Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi të Lëvizjes Vetëvendosje, ku thuhet se numri i të vaksinuarve është në rritje dhe tashmë është kaluar shifra e 100 mijë vaksinimeve në javë, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftimin e LVV-së bëhet thirrje tek qytetarët që të vaksinohen.

    “Vetëm vaksinimi na mbanë të shëndetshëm e të fortë ndaj virusit, andaj ftoni të gjithë të afërmit e shoqërinë që ende nuk kanë caktuar terminin për vaksinim, ta bëjnë një gjë të tillë.”

    Ndryshe numri i rasteve të reja pozitive me COVID-19 në baza ditore në Kosovë po vazhdon të rritet çdo ditë.

    Vetëm të shtunën u regjistruan tetë raste të vdekjes, teksa u konfirmuan edhe 2 mijë e 279 raste të reja.

    Në total numri i rasteve aktive me koronavirus është 18.287.

    Në anën tjetër, si pasojë e rritjes së numrit të rasteve të reja, MSH ka publikuar masat e reja anti-COVID, që do të hyjnë në fuqi që nga sot.

    Sipas masave të reja, MSH njofton se do të mbyllen klubet e natës dhe do të ndalohen dasmat dhe ahengjet tjera familjare.

    Me masat e reja po ashtu ndalohet hyrja në mjetet të transportit publik pa maskë.

    Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë, duke shfrytëzuar kapacitetin e plotë të ulëseve, me kusht që personeli dhe udhëtarët të mbajnë maskën gjatë gjithë kohës.

    Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy udhëtarë.

    Teatrot, bibliotekat, orkestrat, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet.

    Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme bëhet në proporcion 1 klient në 8m2.

    Njoftimi i plotë i LVV-së:

    708,327 doza të vaksinës kundër virusit Covid-19 janë administruar deri më tani. Numri i të vaksinuarve është në rritje dhe tashmë është kaluar shifra e 100 mijë vaksinimeve në javë, por thirrja për t’u vaksinuar duhet vazhduar. Vetëm vaksinimi na mbanë të shëndetshëm e të fortë ndaj virusit, andaj ftoni të gjithë të afërmit e shoqërinë që ende nuk kanë caktuar terminin për vaksinim, ta bëjnë një gjë të tillë. Qeveria tashmë ka marrë masat e nevojshme për ta kufizuar shpërndarjen e virusit dhe ulur numrin e infektimeve. Është shtuar edhe numri i punonjësve shëndetësorë dhe i hapësirave për mjekimin e të infektuarve. Mënyra se si kontribuojmë në këtë betejë të përbashkët është duke mbajtur maskën, ruajtur distancën dhe duke u kujdes për higjienën. Bashkë ia dalim!

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!