×
  • Lajme
  • Lajme

    Krejt çka ndodhi në paraqitjen e parë të Dardan Krivaqës në Gjykatë

    Reporteri
    25 Gusht 2021 | 21:06

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar sot masën e paraburgimit prej një muaji për Dardan Krivaqën, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçares, M.O.


    Mëngjesi i së mërkurës Gjykatën Themelore të Ferizajt, e gjeti të rrethuar me njësite speciale të Policisë së Kosovës.

    Aty nën pranga u soll i dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçares M.O, Dardan Krivaqa.

    Kjo pas një kërkese që bëri Prokuroria Themelore, për caktimin sa më të shpejtë të masës së paraburgimit për 29-vjeçarin.

    Sipas arsyetimit të prokurorit, Krivaqa duhej të qëndronte 30 ditë në paraburgim për shkak se i njëjti rrezikon të ikë, të përsërit veprën penale ose të pengojë procedurën penale.

    E pak minuta pas fillimit të seancës së mbyllur ndaj Krivaqës, një autoambulancë arriti në Gjykatë.

    E njëjta erdhi për ta trajtuar të dyshuarin për vrasjen e 18-vjeçares, i cili siç mësoi Televizioni nuk ndihej mirë me shëndet.

    Pas gjithë kësaj, seanca vazhdoi edhe për pak minuta me Dardan Krivaqën të pranishëm.

    Avokati i Krivaqës Admir Salihu i ka thënë televizionit prapa kamerës, se klienti i tij nuk e ka thënë asnjë fjalë para gjykatësit.

    E me të përfunduar, në masa të shtuara të forcave të Policisë së Kosovës, i njëjti u largua nga bodrumi i Gjykatës Themelore të Ferizajt, në drejtim të Stacionit Policor ku do të presë vendimin.

    Të dyshuarit kryesor për vrasjen e 18 vjeçares, iu desh të priste disa orë për të marrë verdiktin.

    Këtë verdikt e dha gjykatësi i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Ferizaj, në të cilin miratohej kërkesa e Prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

    Ndërkohë, aty bëhen të ditura edhe disa nga veprimet edhe të dyshuarit tjetër, Arbër Sejdiut.

    Siç thuhet në vendim, ky i fundit ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në vrasjen e M.O, pasi gjatë gjithë kohës, ka qenë në vendin e ngjarjes.

    Ndërkohë, derisa mbahej seanca, qytetarë të shumtë që jetojnë afër objektit të Gjykatës u shprehën të interesuar për të parë çfarë po ndodhte me Krivaqën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!