Autor: Linda Krasniqi
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza, lindi në Shkup me 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq në vitin 1997. Ajo njihej si humaniste shqiptare dhe fituese e çmimit Nobel për Paqe.
Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë. Në shtator të vitit 1928, ajo u largus nga Shkupi në drejtim të Irlandes, për të vazhduar jetën e saj si murgeshë dhe humaniste. Më pas ajo u vendos në Kalkuta, ku fillimisht u bë mësuese dhe më pas edhe drejtoreshë e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Për të bëmat e saj, ajo u kthye në një legjendë të gjallë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë. Nënë Tereza ka qenë mjaft bujare, humane e zemërgjerë dhe këto janë karakteristikat që do ta bëjnë të jetojë përgjithmonë në zemrat e gjithë njerëzve, sidomos në zemrat e shqiptarëve.
Nënë Terezës, për të ardhur në Shqipëri iu desh të dërgonte tre letra. Ajo i kishte dërguar më parë letër Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me jashtë, por nuk mori kurrë përgjigje. Ja se si e shpjegon Lolja letrën e të madhes Nëna Tereze dërguar presidentit të Republikës në vitin 1989, të cilit i theksonte se: “ Për 60 vjet kam vizituar shumë e shumë vende jashtë atdheut tim ”, që është edhe një fakt se ajo e konsideronte Shqipërinë atdheun e saj. Më në fund, e para pasaportë (për këtë rast ishte diplomatike) e dhënë për nënshtetas të huaj me origjinë shqiptare iu dha pikërisht Nënë Terezës, e cila vizitoi Shqipërinë me 1989. Nënë Tereza kishte gjithashtu pasaportë nga India, Vatikani, Britania e Madhe dhe Italia. Kur i thanë për pasaportën Shqiptare ajo u përgjigj: “E pranoj me kënaqësi, sepse është pasaporta e vendit tim; atje kam nënën dhe motrën, atje kam miq e të njohur, atje shumë shpejt do të hapim misionin tonë e unë do të jem vetë aty”. Kur mori çmimin Nobel në vitin 1979, amerikanët i ofruan nënshtetësinë amerikane dhe pasaportën, por ajo nuk pranoi.
Nënë Tereza u bë kultura më e lartë ndërlidhëse e njohjes së shqiptarëve në botë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Bill Clinton ka thënë botërisht në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar“.
Ndër titujt që i janë dhënë Nënë Terezes përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe, të cilen ja dorëzoi personalisht Papa Pali VI; Samaritani i Mirë, në Boston; Shpërblimi Ndërkombëtar John Kennedy, në Uashington; Nëna e të Gjitha Nënave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shpërblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes, shpërblimi më i lartë i Rusisë; etj.
Janë shkruar e shkruhen edhe sot e kësaj dite me qindra vepra për Nënën Tereze, por të gjitha flasin në të vërtetën se ajo ishte shqiptare, siç e ka deklaruar edhe vetë.
Katedralja e Prishtinës, e cila është një ndër ndërtesat më të larta në qytet, mban emrin e saj, ku idenë për ndërtimin e kishte propozuar ish Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Në vitin 2010 u inagurua me rast të njëqind vjetorit të lindjes së saj.
Përveç të gjitha atyre të mirave që ka bërë, ajo ka shkruar edhe poezi në gjuhën shqipe.
Një ndër to mund ta lexoni edhe më poshtë:
Duaj
Duaj deri në dhembje
e nëse të dhemb,
pikërisht për këtë do të jetë më mirë.
Përse të ankohesh?
Nëse vuajtjen e pranon
e ja ofron Zotit, do të të japë gëzim.
Vuajtja
është dhuratë e madhe e Zotit:
kush e vjel
kush do me gjithe zemër,
kush vetveten ofron
ia njeh vlerën.