×
  • Lajme
  • Lajme

    Ushtarja kanadeze e cila u kujdes për fëmijët e Drenasit kthehet në Kosovë pas 20 vitesh

    Reporteri
    06 Qershor 2019 | 8:19

    Sot në Aeroportin e Prishtinës organizohet mikpritje për veteranen e ushtrisë kanadeze Sophie Levesque Boisvert, ushtarja e cila nëpërmjet trupave të NATO-së u kujdes edhe për fëmijët e Drenasit.


    Sophie Levesque Boisvert është një ish-ushtare kanadeze e cila nëpërmjet KFOR-it ka shërbyer në Kosovë, më saktësisht në Drenas, në vitet ’99. Në atë kohë, përveç ushtare, ajo vullnetarisht është kujdesur edhe për fëmijët, nga lodrat e vizatimet e deri tek ofrimi i kujdesit mjekësor.

    Në qershor të vitit 2018 nëpërmjet fotografive i kërkoi 21 fëmijë për të cilët ishte kujdesur më shumë. Fatmirësisht, përbrenda 72 orëve të gjithë ata persona u identifikuan.

    Kjo ushtare, pas më shumë se 20 vitesh vjen në Kosovë, për t’i takuar ata fëmijë por edhe për ta vizituar vendin të cilin e ndihmoi.

    Me këtë rast organizata jo-qeveritare Qendra Rinisë Drenas, në bashkëpunim me grupin e fëmijëve kanë organizuar një pritje në Aeroportin e Prishtinës, për të shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për kontributin e saj dhe sakrificat që i ka bërë gjatë kohës së shërbimit të saj në Kosovë.

    Pritja do të organizohet në daljen e rregullt të udhëtarëve, ku do t’i dhurohen lule nga vajza e njërës prej personave për të cilët është kujdesur. Po ashtu, në shenjë simbolike do t’i dhurohet flamuri i Kosovës dhe mirënjohje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!