Dy avionë të tjerë me refugjatë afganë të cilët arratisen nga Kabuli pas pushtimit taleban të vendit të tyre do të mbërrijnë mbrëmjen e sotme pas mesnatës në vendin tonë.
Lajmi njoftohet nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ku nënvizohet se në pritje të tyre do të jetë ministrja Olta Xhaçka.
“Gjatë mbrëmjes së sotme priten të mbërrijnë në Tiranë dy fluturime të tjera me qytetarë afganë. Avioni i parë nga Kabuli pritet të mbërrijë pak para mesnatës e pas tij edhe avioni i dytë. Pasagjerët do të priten në pistë nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Me uljen në pistën e Rinasit do ju bëhen me dije detaje të tjera”- shkruhet në njoftimin e MEPJ.
Raportohet se refugjatët që do të mbërrijnë mbrëmjen e sotme do të strehohen në “Qyteti Studenti”, në kryeqytet.
Kujtojmë se mbrëmë rreth orës 03:15 mbërritën në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 121 refugjatë të cilët u strehuan në vende pushimi në Durrës. Në total, në vendin tonë do të mbërrijnë 4000 afganë të cilët do të strehohen përkohësisht derisa të pajisen me viza amerikane dhe të mund të udhëtojnë drejt SHBA-ve.