Sayed Sadaat dikur ishte Ministri i Komunikacionit në Afganistan, përpara se të emigronte drejt Gjermanisë, dhjetorin e kaluar me shpresë për të pasur një jetë më të mirë. Ai tani është shpërndarës ushqimesh fast-food me biçikletë në qytetin e Leipzig.
Ai thotë se disa njerëz në vendin e tij e kishin kritikuar për karrierën që ai kishte zgjedhur pasi kishte shërbyer dy vjet si ministër, por ai shprehet se “puna është punë”.
“Nuk kam asnjë gjë për të cilën duhet të ndihem fajtor”- ka thënë 49-vjeçari i cili ka dhe shtetësi britanike në një intervistë me “Reuters” ku shfaqet me uniformën e tij portokalli ngjitur me biçikletën. Ai thotë se u largua nga vendi i tij pasi pati mosmarrëveshje me disa njerëz të afërt me presidentin.
“Shpresoj që edhe politikanë të tjerë të ndjekin shembullin tim dhe të punojnë bashkë me publikun në vend që të fshihen”- ka shtuar ai.
Historia e tij mori më shumë vëmendje pas pushtimit taleban të vendit të tij. Miqtë dhe familjarët e Sadaat duan të largohen nga vendi, duke shpresuar të hipin në një nga avionët e evakuimit nga Kabuli.
Me tërheqjen e plotë të trupave ushtarake amerikane, numri i azil-kërkuesve afganë në Gjermani është rritur me 130%, sipas statistikave të Zyrës Federale për Refugjatët.
Ndonëse Sadaat kishte nënshtetësi të dyfishtë dhe mund të kishte zgjedhur Britaninë, ai vendosi të shkojë në Gjermani në fund të vitit 2020, duke shfrytëzuar faktin që Londra ende nuk ishte larguar zyrtarisht nga Bashkimi Europian. Ai zgjodhi Gjermaninë, sepse pret që ai vend të ketë një të ardhme ekonomike më të mirë dhe një rol të rëndësishëm në fushën e IT dhe telekomit.
Por, edhe me profilin e tij, Sadaat e ka pasur të vështirë të gjejë punë në Gjermani që përkon me eksperiencën e tij. Me diplomë në IT dhe telekomunikacion, Sadat shpresonte se do të gjente punë në një fushë të lidhur me profilin e tij, por nuk ja ka dalë.
“Gjuha është shumë e rëndësishme këtu”- thotë ai.
Çdo ditë ai studion gjermanishten katër orë në një shkollë gjuhe dhe më pas punon për gjashtë orë “delivery” për Lieferando një punë që e filloi këtë verë.
“Ditët e para ishin emocionuese, por të vështira”- tregon ai duke ndarë sfidat e të ngarit të biçikletës në trafikun e qytetit.
“Sa më shumë del dhe sheh njerëz, aq më shumë mëson”- përfundon ai.