×
  • Lajme
  • Botë

    Arrestohen 107 persona për trafikim droge në Spanjë, shumica prej tyre janë shqiptarë

    Reporteri
    01 Shtator 2021 | 13:13

    107 persona, kryesisht shqiptarë, janë arrestuar gjatë një dite aksioni më 13 korrik që përfshiu autoritetet e zbatimit të ligjit në Spanjë, Gjermani dhe Shqipëri, duke çmontuar një rrjet të organizuar kriminal të trafikimit të drogës.


    Grupi kriminal besohet se po menaxhonte plantacionet e kanabisit në Spanjë ku ata kultivonin dhe përpunonin marihuanën, para se të transferohej në vendet e tjera evropiane për shpërndarje të mëtejshme.

    Në ditën e aksionit, rreth 400 policë në terren kryen bastisje të njëkohshme në 42 vende të ndryshme në Spanjë.

    Disa kërkime shtesë u kryen disa ditë më vonë. Në konferencën për media të mbajtur të mërkurën në Spanjë, ishte i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë Ardi Veliu, i cili tha se Policia e Shqipërisë ka treguar se është “një partner i besueshëm për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit”.

    “Pas një viti pune të gjatë hetimor, u bë i mundur finalizimi i këtij operacioni të madh ndërkombëtar, ku policia shqiptare ka qenë kontribuese direkte, për shkëmbimin e informacionit për të gjithë shtetasit shqiptarë të përfshirë dhe në veprime konkrete me oficerë të Policisë Shqiptare”, tha Veliu.

    Në anën tjetër, shefi i Divizionit të Hetimeve Kriminale të Skuadrës së Lëvizshme të Policisë Spanjolle, Ramón Chacón, duke dhënë detaje për aksionin, tha se shqiptarët “janë sekserët e kanabisit të Spanjë”.

    “Operacioni zgjati 1 vit dhe është operacioni më i madh kundër mafies shqiptare. Është e rëndësishme sepse, normalisht kemi shumë plantacione kanabisi. Ne jemi eksportues në Europë, kërkesa nga Gjermania është në rritje. Shqiptarët që vijnë këtu janë sekserët e marijuanës, sepse kontaktojnë mafien spanjolle që merret me ngritjen e shtëpive të barit dhe më pas gjejnë blerësit. Prandaj është e rëndësishme që të bashkëpunojmë me policinë shqiptare”, tha Chacón.

    Në një komunikatë për media të lëshuar nga Europol, ndër tjerash thuhet se ky grup kriminal i organizuar me bazë klani ishte i strukturuar në mënyrë hierarkike, me degë që vepronin ndërkombëtarisht. Disa nga anëtarët e saj të arrestuar kanë një histori të trafikut të drogës në vende të ndryshme.
    “Europol e mbështeti këtë hetim duke siguruar ekspertizë të përshtatur dhe mbështetje të gjerë analize dhe duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit përmes kanaleve të tij të sigurta. Në ditën e aksionit, një post komandues virtual u krijua nga Europol për të siguruar koordinim të përsosur midis të gjitha autoriteteve të përfshira”, thuhet në komunikatë.

    Gjatë këtij megaoperacioni u kryen kontrolle në 51 ambiente, nga të cilat 23 plantacione/shtëpi bari, u asgjësuan rreth 25.000 bimë narkotike kanabis, u sekuestruan 938 kg boçe kanabisi, një detonator, dy armë zjarri, tri mjete luksoze, një bllokues valësh dhe 68.760 euro.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!