Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes zëdhënësit të saj, Lulëzim Blaka, i ka quajtur zhurmë e propagandë publike, denoncimet që sot e dje bënë ministrat e Qeverisë Kurti në lidhje me shpronësimet në kohën kur qeveria udhëhiqej nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Dje, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se vlera e shpronësimeve për rrugën Kijevë – Zahaq është rritur për 12 milionë euro, ndërsa sot ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se “ky është vetëm fillimi i denoncimit të keqpërdorimeve me shpronësime”.
Por, AAK-ja i quaj të pavërteta gjithë këto.
“Sikur ata të jenë ministra hakikat, nuk bëjnë zhurmë e propagandë në publik, por i dërgojnë pretendimet e dyshimet, nëse i kanë, në Prokurori. Pse kanë nevojë këta mashtrues të merren me çështje të cilat janë prerogativë ekskluzive e organit të akuzës. Apo veç kujtojnë se me shpifje e me gënjeshtra publike kanë arritur qëllimin? Jo, kjo nuk do të kalojë dhe do të përgjigjen një për një për krejt rrenat publike”, ka shkruar Blaka në Facebook, ndërkohë postimin e tij e ka nisur për media Zyra për Marrëdhënie me Publikun e AAK-së.
Për akuzat reagoi dje edhe Haradinaj, por nuk foli për to. Ai akuzoi zyrtarët qeveritarë se me akuza po tentojnë të shmangin vëmendjen nga situata e vështirë me COVID-19.