×
  • Lajme
  • Lajme

    Komuna e Istogut nga viti 2008 nuk arrin t’i marrë qiratë e pronave komunale

    Reporteri
    06 Qershor 2019 | 23:56

    Një varg problemesh ka gjetur Auditori në komunën e Istogut që drejtohet nga Haki Rugova i LDK-së.


    Problemi më i madh në këtë komunë është menaxhimi jo adekuat i pronave komunale të dhëna me qira.

    Komuna e Istogut ka 42 prona komunale të dhëna me qira.

    Auditori ka vërejtur se menaxhimi i pronave të dhëna me qira mbetet sfidë për këtë komunë edhe në të ardhmen nga fakti se 41 qiramarrës kishin borxhe të pashlyera.

    “10 prej tyre nuk kishin paguar qiranë që nga viti 2008 dhe vazhdojnë ende t’i shfrytëzojnë pronat e komunës; dhe në tri nga katër mostrat e testuara kontratat ishin të skaduara dhe nuk ishte bërë azhurnimi i kontratave përderisa pronat vazhdojnë të shfrytëzohen nga qiramarrësit”, thuhet në raportin e Auditorit, shkruan Reporteri.net.

    Sipas menaxhmentit të Komunës arsyeja e kësaj sfide është fakti se në disa prona komunale ka pretendime se pronarët e tokave janë personat që ato toka i konsiderojnë si prona të tyre. Veprimet e menaxhmentit në eliminimin e këtyre kontesteve nuk ishin të mjaftueshme për ta ndryshuar gjendjen në menaxhimin e pronave të dhëna me qira

    Gjetje tjetër e Auditit në Istog është edhe menaxhim jo adekuat i të angazhuarve përmes kontratave të përkohshme.

    Komuna gjatë vitit 2018 kishte të angazhuar 35 punonjës të angazhuar. Prej tyre 30 janë angazhuar me kontrata pune me kohë të caktuar bazuar në Ligjin e Punës dhe 5 prej tyre ishin me marrëveshje për shërbime të veçanta bazuar në Ligjin e Shërbimit Civil.

    Auditi ka vërejtur se të gjithë të angazhuarit janë paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve edhe pse të angazhuarit me kontrata me afat të caktuar konsiderohen punonjës në marrdhënie pune dhe pagesa duhet të jetë kryer nga kategoria e pagave dhe mëditjeve; dhe ka një konfuzion te këto kontrata pasi që për të njëjtën pozitë angazhimi bëhet herë me ligjin e shërbimit civil e herë me ligj të punës.

    “Po ashtu, vërehet se stafi ishte i angazhuar kryesisht për pozita të rregullta të punës. Sipas zyrtarëve komunal, mangësitë e identifikuara, janë pasojë e mungesës së buxhetit për staf të ri për programet e përhershme dhe aprovimit të kufizuar të vendeve të punës nga Ministria e Financave (MF) krahasuar me kërkesat”, thuhet në raport.

    Kjo komunë ka mangësi edhe në menaxhimin e personelit.

    Auditi ka vërejtur se dosjeve të shërbyesve civil, punonjësve të arsimit dhe shëndetësisë ju mungonin dokumentet si: çertifikata e lindjes, çertifikata e shtetësisë, çertifikata nën hetime, vendimi i pushimit vjetore dhe dëshmi tjera që kërkohen të jenë pjesë e dosjeve të personelit.

    “Drejtoria e Arsimit kishte punësuar dy persona në arsim, por që konkursin nuk e kishte publikuar në njërën nga mediat e shkruara ashtu siç kërkohet me Udhëzimit Administrativ 07/2017 (MPMS) në nenin 4 pikën 3, por e kishte publikuar në web-faqen e komunës”, thuhet në raport, shkruan Reporteri.net.

    Gjetje tjetër është pagesa në mungesë të dëshmive të mjaftueshme.

    Auditi ka vërejtur se janë realizuar dy pagesa pa u siguruar me dëshmi të mjaftueshme për kryerjen e shërbimeve.

    “Pagesa në vlerë prej 4,343€ për “Mirëmbajtën e ndriçimit publik” dhe pagesa prej 10,225€ për “Mirëmbajtjen e hapësirave publike”, janë realizuar bazuar në raportin e përgatitur nga menaxheri i kontratës për punët e kryera, sipas të cilit kompania ka bërë mirëmbajtjen e ndriçimit dhe hapësirave publike në lokalitete të ndryshme të komunës, por nuk tregohet saktësisht se në cilat rrugë janë realizuar. Kjo gjendje ishte për shkak të një praktike jo të mirë të krijuar nga menaxherët të kontratave, ku raportet e tyre nuk ofrojnë detaje të mjaftueshme lidhur me kohën dhe vendin e realizimit të punëve/shërbimeve”, thotë Auditi.

    Sfidë për këtë komunë mbetet edhe nivel i ulët i realizimit të buxhetit për investime kapitale.

    “Sfidë e mëtutjeshme e komunës mbetet niveli i ulët i ekzekutimit të buxhetit në investime kapitale, me rreth 75%, duke rezultuar më një nënshpenzim prej 805,651€ nga ajo që ishte e buxhetuar. Niveli i ulët i realizimit ishte kryesisht si rezultat i vonesave në zhvillimin e procedurave të prokurimit. Kjo ishte ndikuar edhe për shkakun që prokurimet për projekte ekzekutive ishin vonuar ose anuluar krejtësisht duke e ndikuar fillimin e prokurimeve për projekte kapitale. Me tutje, pjesa më e madhe (75% e pagesave) e shpenzimeve kapitale ishin realizuar në tremujorin e fund vitit”, thuhet në raport. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!