×
  • Lajme
  • Botë

    Kush ishte Amfilohije, për të cilin priftërinjtë serbë kënduan “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”

    Reporteri
    05 Shtator 2021 | 18:46

    Ish-mitropoliti Amfilohije Radoviq, për të cilin priftërinjtë serbë sot në Cetinje të Malit të Zi kënduan për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, ishte idoli i nacionalistëve e kriminelëve serbë.


    Një pjesë e mirë e popullit malazez e kujton atë si nxitës të luftës. Amfilohije mbahet mend gjithashtu për mikpritjen që ia kishte bërë kriminelit të luftës Zheljko Raznatoviq – Arkan në manastirin në Cetinje, ku sot mes kaosit u shugurua kreu i ri serb i Kishës Ortodokse, raporton agjencia kroate e lajmeve, Index.hr, transmeton Gazeta Express.

    Mitropoliti Amfilohije ishte gjithashtu i njohur për mallkimet e tij. Në një nga më të cituarat, në prag të pranimit të Malit të Zi në NATO, ai tha: “Kushdo qoftë kundër Rusisë dhe Ortodoksisë me një gjak, një besim dhe një gjuhë, mishi i gjallë i rëntë nga trupi! Mallkuar qoftë ai tre herë, dhe tre mijë herë!”.

    Ndikimi i Amfilohije në Malin e Zi ishte aq i madh sa besohet se ai bashkoi koalicionin pro-serb “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, ku bën pjesë edhe shqiptari Dritan Abazoviq në pozitën e zëvendëskryeministrit. Thuhet se ishte po ai që në krye të këtij koalicioni e caktoi Zdravko Krivokapiqin, i cili sot është kryeministër i Malit të Zi.

    Në fund të shtatorit, në prag të seancës konstituive të parlamentit malazez, Amfilohije mblodhi drejtuesit e qeverisë së re në manastirin e Ostrogut, duke u kërkuar atyre ta mbështesin Krivokapiqin si kryeministër.

    Siç vërehet në një video të “Vecernji novostit” serb, priftërinjtë në manastirin e Certinjes kënduan këngën “Ječam žela”, tekstet e së cilës përmbajnë pjesë ku thuhet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!