Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Berisha, e ka quajtur farsën më të madhe politike, opinionin e krijuar se presidentja, Vjosa Osmani, është pasardhëse e filozofisë së ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Berisha është shprehur se kjo farsë ia ka mundësuar kryeministrit, Albin Kurti, të dilte fitues absolut, ndonëse sipas tij, pikëpamjet e tij kanë mospërputhshmëri të plotë me Rugovën, shkruan Reporteri.net.
“Farsa më e madhe politike që i ka ndodhur Kosovës është opinioni i krijuar një kohë, e sidomos në zgjedhjet e fundit, se Vjosa Osmani është pasardhëse e filozofisë politike të dr. Rugovës. Kjo farsë, mundësoi që Kurti të dilte fitues absolut ndonëse pikëpamjet e tij ishin të njohura në mospërputhshmërinë e plotë me dr. Rugovën.”, ka shkruar ai.
Tutje ish-bashkëpunëtori i afërt i presidentit Rugova, është shprehur se Osmani në rolin e presidentes po abuzon me demokracinë dhe shtetin, siç ka abuzuar në emër të LDK-së dhe Rugovës.
“Kjo farsë, po dëshmohet çdo ditë, se zonja Osmani jo vetëm që ka abuzuar në emër të LDK-së dhe të dr. Rugovës, por tash ajo në rolin e presidentes është duke abuzuar me demokracinë dhe shtetin përtej çdo imagjinate negative që ka mundur ta parashikoj një mendje racionale.”, ka thënë ai.
Ky reagim i Berishës, i cili në zgjedhjet e kaluara ishte edhe kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, erdhi pas ftesës së Osmanit drejtuar partive politike për një takim në të cilin thuhet se do të diskutohet opinioni profesional dhe rekomandimi i Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.
Ky është postimi i plotë i Berishës:
Farsa më e madhe politike që i ka ndodhur Kosovës është opinioni i krijuar një kohë, e sidomos në zgjedhjet e fundit, se Vjosa Osmani është pasardhëse e filozofisë politike të dr. Rugovës.
Kjo farsë, mundësoi që Kurti të dilte fitues absolut ndonëse pikëpamjet e tij ishin të njohura në mospërputhshmërinë e plotë me dr. Rugovën.
Kjo farsë, po dëshmohet çdo ditë, se zonja Osmani jo vetëm që ka abuzuar në emër të LDK-së dhe të dr. Rugovës, por tash ajo në rolin e presidentes është duke abuzuar me demokracinë dhe shtetin përtej çdo imagjinate negative që ka mundur ta parashikoj një mendje racionale.
/Reporteri.net