Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dha sot “provimin” kur dëgjoi vullnetin e shumicës së partive që kërkuan që zgjedhjet lokale të mos shtyhen.
Ai thotë se sytë e të gjithë qytetarëve ishin nga Presidentja që të shihte se çfarë vendimi do të merrte ajo.
“Presidentja ishte nën llupën e dy milionë shqiptarëve, e dha provimin. Ajo tregoi veten se ishte e aftë të merrte një vendim të pavarur dhe të vështirë. Pasi të marrësh vendime të vështira nuk është aspak popullore. Kjo dihet. Presidentja e dha provimin”, tha ai.
Tutje ai thotë se nuk e ka besuar asnjëherë se Osmani është e “varur politikisht” nga VV-ja.
“Nuk kam dashur ta shoh ashtu asnjëherë. E di që karakteri i saj nuk e lejon të jetë politikisht e varur nga askush. Sot mendoj se tregoi veten”, tha ai në DPT te Fidani në T7.
Tutje ai thotë se është i kënaqur që propozimi i LDK-së për shkurtim të fushatës zgjedhore u mor parasysh dhe fushata tani është shkurtuar.
Sot presidentja Vjosa Osmani në koordinim me partitë politike në Kosovë vendosi që të mos shtyhet dita e zgjedhjeve lokale, 17 tetori.
Pro shtyrjes së zgjedhjeve ishte kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së. Partitë opozitare ishin kundër që zgjedhjet të shtyhen dhe e cilësuan si fitore e demokracisë.