×
  • Lajme
  • Shqipëria

    A kërkoi Basha informacion nga SHBA, Yuri Kim: Vendimi për Berishën ka kaluar në disa nivele shqyrtimi

    Reporteri
    17 Shtator 2021 | 7:19

    Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim deklaroi se vendimi i firmosur nga sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken për shpalljen e Sali Berishës non-grata ka kaluar në shumë nivele shqyrtimi. Ajo u shpreh se ata që habiten me këtë përcaktim nuk po tregohen të sinqertë.


    “Do të thoja që këto histori konspiracioni janë të pavend për një vend aleat në NATO dhe aspirant për në BE. Ditët e teorive të konspiracionit duhet t’i përkasin të shkuarës. Tani, e gjitha ka të bëjë me faktet. Dhe do t’ju them që procesi për përcaktimin e individëve, sidomos individëve të rëndësishëm, është një proces shumë i gjatë dhe shumë tërësor.

    Dhe, në kohën kur një vendim shkon përpara Sekretarit të Shtetit, pra që të nënshkruhet nga Sekretari i Shtetit, ai ka kaluar nëpër shumë e shumë nivele shqyrtimi. Mendoj se është e drejtë të thuhet që në shumicën e rasteve, në të gjitha rastet, dhe nuk flas vetëm për Shqipërinë, po flas për të gjithë botën, në momentin kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme. Dhe mendoj se ata që thonë se janë të habitur, me gjasë nuk po tregohen fort të sinqertë”, tha Kim.

    Pyetur nëse Lulzim Basha ka kërkuar informacion nga SHBA para se të merrte këtë vendim, Kim theksoi se ai e ka bërë atë publikisht, por shtoi se vjen puna tek qeveria e SHBA, për këto përcaktime ekziston një proces.

    “Ka kërkuar publikisht. E kemi dëgjuar. Kemi parë edhe deklaratat nga të tjerë. Kur vjen fjala tek Qeveria e SHBA, për këto përcaktime ekziston një proces”, shtoi Kim.

    Zëri i Amerikës: Pse masa ndaj zotit Berisha u mor tani, kur ai ka 8 vjet që nuk është në pushtet?

    Ambasadorja Kim: Shkuarja deri në fund të këtyre proceseve kërkon një kohë të gjatë. Përsëris, dua të sqaroj që nuk është pjesë e ndonjë teorie të çmendur konspirative që vë në shënjestër politikën e brendshme këtu. Uashingtoni nuk merret me diçka të tillë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!