Pandemia e koronavirusit po shënon rënie për të tretën javë me radhë nëpër botë.
Këto të dhëna janë nxjerrë nga një databazë e AFP-së, ku theksohet se Kosova është në mesin e vendeve me vaksinimet më të mëdha ditore për 1 milion banorë.
Më poshtë të dhënat e nxjerra nga kjo databazë:
Ulje të shifrave
Numri i infeksioneve ditore ra për gjashtë për qind globalisht në 555,000, sipas të dhënave të publikuara të enjten nga AFP-ja.
Pandemia ripushtoi globin që nga mesi i qershorit shkaktuar nga varianti më shumë infektues Delta i cili është bërë dominues në shumicën e vendeve. Por për tre javë me radhë, infeksionet kanë qenë në rënie.
Megjithatë, rastet e konfirmuara, sipas AFP-së, reflektojnë vetëm një pjesë të numrit real të të infektuarve, pasi vende të ndryshme praktikojnë mënyra të ndryshme numërimi dhe nivele të ndryshme testimi.
Rënie në shumicën e rajoneve
Situata është përmirësuar në shumicën e rajoneve nëpër botë këtë javë, me rënie prej 20 për qind të numrave në Azi, 14 për qind në Afrikë dhe Lindje të Mesme, 13 për qind në Amerikën Latine dhe Karaibe, dhe katër për qind më pak në Evropë.
Megjithatë, numri i rasteve është rritur për 12 për qind në SHBA dhe Kanada, dhe tre për qind në Oqeani, ku numri i rasteve megjithatë mbeti i vogël.
Rritjet më të mëdha të të infektuarve
Botswana ishte vendi me kërcimin më të lartë të rasteve të reja, me një rritje prej 97 për qind. Rumania ishte e dyta me rritje prej 85 për qind, Lituania (54 për qind rritje), Ukraine (53 për qind rritje) dhe Serbia (50 për qind rritje).
Rëniet më të mëdha të të infektuarve
Në anën tjetër të spektrit, Japonia pati rënien më të madhe të shifrave ditore, me 44 për qind, e përcjellë nga Indonezia me 37 për qind më pak, Afrika Jugore (35 për qind më pak), Maroku (33 për qind më pak) dhe Argjentina (32 për qind më pak).
SHBA-ja ka më së shumti infeksione
SHBA-ja ka mbetur larg vendi me më së shumti raste të reja ditore, me 170,000 në ditë, një rritje prej 12 për qind, e pasuar nga India me 29,600 raste, një rënie prej 26 për qind, dhe Mbretëria e Bashkuar me 29,600, një rënie prej 23 për qind.
Për kah rastet e reja në bazë të numrit të banorëve, Izraeli këtë javë ishte me 760 raste për 100,000 banorë, e pasuar nga Serbia me 637 dhe Mongolia me 588.
… Dhe më së shumti vdekje
SHBA-ja po ashtu varrosi numrin më të madh të të vdekurve nga COVID-19, me 2,206 vdekje në ditë, e pasuar nga Rusia me 780 dhe Meksiko me 600.
Në nivel global, numri i vdekjeve ditore është rritur për një për qind, në 9,171.
Vaksinimi
Me vaksinën e saj tri-dozëshe të prodhuar vetë, Kuba kryesoi garën e vaksinimit këtë javë në mesin e vendeve me më shumë se 1 milion banorë, duke vaksinuar 2.15 për qind të qytetarëve të saj çdo ditë.
Irani ishte i dyti me 1.51 për qind, Koreja Jugore (1.49 për qind), Zelanda e Re (1.20 për qind) dhe Kosova (1.08 për qind).
Edhe pse janë duke vaksinuar më ngadalë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vaksinimin më të avancuar, pasi kanë administruar 195 doza të para ose të dyta për 100 banorë.
Pasohet nga Uruguai me 172, Izraeli 169, Katari (161), Kili dhe Singapori (152), dhe Portugalia (151).
Kina njoftoi të enjten se kishte vaksinuar plotësisht më shumë se një miliard njerëz./zëri.info