Ka ardhur edhe reagimi për herë të parë nga kryeministri Edi Rama mbi situatën e fundit që ka rritur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë për reciprocitetin e targave.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thekson se Kosova e ngre problemin me plotë të drejtë, ndërsa shton se duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit siç ndodhi me tarifën 100%. Sipas Ramës, Kosova duhet të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë dhe BE të ndërmjetësojë.
“Kosova e ngre problemin me plot të drejtë. Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangun e ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%).Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë,” shkruan Rama.
Ndryshe, qytetarët serbë edhe gjatë të martës kanë vazhduar protestën, duke bllokuar rrugët që shpiejnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Forcat e Policisë së Kosovës kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës, pas protestave lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për masë reciprociteti për targat e veturave të regjistruara në Serbi, që hyjnë në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 20 shtator nga Kuvendi i Kosovës, se ky vendim nuk është marrë me dëshirë të Kosovës, por është imponuar nga “pala tjetër”.
Por, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, si shenjë pakënaqësie edhe më 20 shtator, kur ka nisur të zbatohet kjo masë.
Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhama para dhe prapa