Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se ka ngrituar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin Special, ndaj Kushtrim Podvoricës për veprat penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” dhe “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste në vazhdim”.
Kjo u bë e ditur nga PSRK përmes një njoftimi për medie, shkruan Reporteri.net.
“Prokuroria njofton se i pandehuri K.P., akuzohet për kryerjen e veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 134 të KPRK-së dhe “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste në vazhdim” nga neni 134 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.”, thuhet në njoftim.
Gazeta Online ‘Reporteri.net’ pati raportuar në qershor të këtij viti për arrestimin e Podvoricës.
Kreshnik Podvorica nga Lipjani, i cili është vëllai i Blerim Podvoricës i cili u vra në vitin 2017 në Siri pasi kreu një sulm kamikaz, edhe më parë ishte përballur me drejtësinë.
Në vitin 2018 ishte dënuar me gjashte muaj burgim, për shkak se nuk e kishte lajmëruar veprën penale kur i pandehuri Rakip Avdyli ka kërkuar nga ai që të kryejë një sulm vetëvrasës në Republikën e Kosovës.
Po ashtu në janar të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Podvoricën me gjashtë muaj burgim për propagandim në rrjetin social ‘Facebook’, ku në postimet e tij përkrahte haptazi veprimet terroriste të ISIS-it.
Podvorica më 4 nëntor 2017 në llogarinë e tij në “Facebook” kishte shpërndarë fotografi kërcënuese në të cilën është paraqitur një gomë e një automjeti të lyer me gjak në të cilën janë lënë gjurmët e përgjakshme me fjalët “Nisu drejt tyre pa mëshirë”
Kreshnik Podvorica kishte shkruar për vdekjen e të vëllait.
“Allahu të pranoftë o Luan. Videon ku vëllau shpejton ta takojë Allahun Xhele Ve Ala mund ta shikoni në postimet e mëhershme. Vëllau me makinën e tij me eksploziv e ka goditur turmën e ushtrisë së Asadit në afërsi të qytetit Tejdmur, vilajeti Homs”, kishte shkruar në Facebook Kreshnik Podvorica. /Reporteri.net