Kryeministri Ramush Haradinaj ka konfirmuar se për 20 vjetorin e çlirimit në Kosovë do të vijnë ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-sekretarja e shtetit, Madeleine Albright.
Ai ka thënë se ardhja e tyre është lajm i madh për Kosovën.
“Ardhja e presidentit Clinton është një sukses në çdo drejtim, ardhja është sukses për Kosovën. Thënë të drejtën po përsëritet historia, atëherë prej ajri, dhe tani nga toka, kjo qeveri ka konsoliduar punët e shtëpisë, në këtë 20 vjetor Kosova është më e konsoliduar në rend e ligj”, ka deklaruar Haradinaj, në Klan Kosova, shkruan Reporteri.net.
Ndërsa ka folur për marrëveshjen e Kumanovës, kryeministri Haradinaj ka deklaruar se lajmi i 9 qershorit për largimin e forcave serbe, ishte ndjenjë e jashtëzakonshme se po kthehemi në jetë.
Ai ka thënë se e kanë ditur që NATO do ta përmbyll pjesën e vet.
Këtë e konfirmoi edhe presidentja Atifete Jahjga sot në një konferencë për media.
Ajo tha se Clinton dhe ish- Sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në shënimin e 20-vjetorit të lirisë.
Të dy do të mbajnë fjalim në Tubimin Qendror për shënimin e kësaj dite.“Shënimi i 20 vjetorit është iniciativë e 4 presidentëve të Kosovës, Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe e imja. Iniciativa është përkrahur nga Qeveria që me 26 mars ka krijuar këshillin organizativ të Shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë”, tha Jahjaga. /Reporteri.net/.