Funksionari i lartë amerikan, Matthew Palmer, pas takimit që zhvilloi sot me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq tha se SHBA vazhdon të mbështesë dialogun e udhëhequr nga BE dhe e konsideron shumë të rëndësishme që ky dialog të hapë rrugën evropiane për të dyja vendet.
Mirëpo, siç u shpreh ai taksa është pengesë në këtë drejtim dhe kërkoi heqjen e saj.
“Ne shohim se taksa është pengesë për këtë dhe do të dëshironim që ajo të hiqej dhe që të dy palët të kthehen në tryezën e bisedimeve”, u shpreh ai.
Edhe zëvendës ambasadori gjerman në OKB, Jurgen Schulz, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit kërkoi sot nga Prishtina zyrtare të heqë taksat ndaj mallrave serbe, duke thënë se ajo është në kundërshtim me proceset e integrimit.
Për këtë çështje po sot foli edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se edhe Kosova dëshiron heqjen e taksave por me një marrëveshje, që Serbia ta njohë Kosovën.
“Na dëshirëojmë me heq taksën, por jemi për një marrëveshje. Pa marrëveshje për njohje Kosovë-Serbi s’do ketë tregti të lire. Pezullimi javora po 10 ditesh çka ndihmon?!. Ne kërkojmë njohje reciproke, ne ju kemi shpjeguar amerikanëve dhe aleatëve qëndrimin tone. Unë kisha dëshirë që Amerika të na ndihmon dhe po na nidhmon dhe është e involvuar dhe të ruhet edhe ekzistenca e Kosovës. Edhe une jam për, por le t’i bëjnë edhe Serbisë presion ta njohin Kosovën. Kërkesat i respektoj, janë legjitime, dhe nuk kemi keqkuptim as me Ameriken as me Evropën”, deklaroi Haradinaj në Klan Kosova, shkruan Reporteri.net.
Kujtojmë se Kosova ka vendosur taksën doganore prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës më 21 nëntor të vitit 2018.
Që nga ajo kohë kur Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për vendosjen e taksës prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës, Serbia është ankuar dhe ka kundërshtuar në masë të madhe këtë vendim dhe vazhdon ta bëjë edhe sot. /Reporteri.net/.