Si edhe çdo vit tjetër, edhe sivjet krerët e shtetit por edhe zyrtarë të partive në pushtet e opozitë kanë deklaruar pasuri marramendëse, si shtëpi, banesa, tokë, para të ruajtura në banka, vetura super të shtrenjta e çka jo tjetër.
Përveç presidentit, pasuri të majme kanë deklaruar edhe dy prej njerëzve të afërt të tij që vite më parë kanë drejtuar Agjencinë e Intelegjencës Kosovare (AKI). Fjala është për ish-kryespiunët Bashkim Smakaj e Driton Gashi, të cilët presidenti Thaçi i mori afër vetës në Presidencë pasi u larguan nga AKI-ja, shkruan Reporteri.net.
Bashkim Smakaj, kryespiuni i parë mban aktualisht pozitën e këshilltarit politik te presidenti Thaçi, ka deklaruar pasuri të madhe.
Ka deklaruar dy shtëpi banimi në emër të përbashkët në vlerë të përbashkët 115 mijë euro, tokë të përbashkët në vlerë 100 mijë euro, truall në vlerë 60 mijë euro, mal në vlerë 50 mijë dhe tokë në emër personal në vlerë 9.200 euro (blerë nga kursimet).
Smakaj ka deklaruar veturë personale në vlerë 34.500 euro të cilën thotë se e ka blerë në vitin 2018 (nga kursimet, shitja e veturës dhe kredia).
Në emër të vet ka deklaruar 13 mijë euro të ruajtura në bankë, në emër të fëmijëve 3.480 euro të ruajtura në bankë dhe 7.400 në emër të bashkëshortes.
Smakaj ka deklaruar një kredi për të shlyer në emër të vet 10 mijë euro me kohëzgjatje 24 muaj që thotë se i ka marrë për blerje të veturës dhe një borxh 5 mijë euro në emër të gruas kohëzgjatje 24 muaj poashtu për blerje të veturës.
Driton Gashi, ish-kryespiuni tjetër që tani mbanë pozitën e sekretarit në Presidencë ka deklaruar shtëpi 220 m2 në vlerë 125 mijë euro të blerë në vitin 2016 (blerë nga shitja e banesës).
Gashi ka deklaruar se posedon veturë në vlerë 14 mijë euro të blerë në vitin 2016 (nga shitja e veturës paraprake dhe huazim).
Në emër të vet Gashi ka deklaruar para të ruajtura në bankë në vlerë 14 mijë euro, në emër të gruas 10 mijë euro dhe 17 mijë euro në emër të prindit.
Gashi ka deklaruar se ndaj një personi fizik ka detyrime financiare në vlerë 8 mijë euro, siç thotë për mbylljen e kredisë aktuale.
Kujtojmë se për dallim nga Smakaj dhe Gashi, shefi i dytë i AKI-së, Agron Selimaj nuk punon në institucione.
Ai disa muaj pas dorëheqjes enigmatike nga kjo pozitë, është kthyer në profesionin e tij të mëparshëm, punës së avokatit, profesion të cilin e ushtroi për 3 vjet para se të fillonte punën në AKI. /Reporteri.net/.