Ulja e temperaturave solli dëborën e parë në vendin tonë. Zonat malore në Korçë, Kukës dhe Dibër u zbardhën nga reshjet e dëborës, ndërkohë që në disa zona trashësia e saj arriti në 10 centimetra.
Reshjet e dëborës nuk kanë krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve, ndërsanë disa zona pati ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të motit të keq.
Në qarkun e Korçës, dëbora zbardhi zonat malore të Panaritit, Lekasit, Voskopojës, Dardhës etj. Trashësia e dëborës arriti deri në 5 centimetra në disa zona, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve.
Temperaturat në zonat malore kanë shkuar deri në -2 gradë, ndërsa në disa fshatra janë raportuar probleme me energjinë elektrike për shkak të kushteve atmosferike. Në zonën turistike të Dardhës, dëbora krijoi shtresa edhe në aksin rrugor që lidh këtë zonë me Korçën.
Borëpastrueset ndërhyn në kohë, duke pastruar rrugën dhe krijuar mundësi për lëvizjen pa problem të automjeteve.
Në Kukës, këtë të enjte ka nisur dimri i vërtetë. Temperaturat prej mbrëmjes së djeshme u ulën ndjeshëm të shoqëruara me reshje të dobëta shiu edhe me erëra të forta në qytet dhe fshatrat për rreth.
Në zonat e larta malore në mëngjes ka pasur mjegull ndërsa kanë rënë edhe reshjet e para të dëborës. Dëbora e nisur nga mesnata e djeshme ka zbardhur Shishtavecin.
Reshjet kanë qenë të lehta dhe nuk kanë shkaktuar probleme. Dëbora ka zbardhur edhe malin e Gjallicës duke paralajmëruar zbritjen e saj edhe në zonat e ulëta poshtë malit.
Në Kukës prej ditësh është prezent moti i vranët dhe me reshje shiu, tipike të vjeshtës. Autoritetet lokale thonë se kanë marrë masa për të pritur dimrin e sivjetshëm veçanërisht në zonat malore.
Edhe në qarkun e Dibrës kanë nisur pas mesnate reshjet e para të dëborës, duke zbardhur disa nga zonat malore të këtij qarku. Në zonat malore të Kalasë së Dodës dhe Lurës, bora sapo ka nisur të shtresëzojë, ndërsa në lartësi mbi 1500 trashësia ka arritur në mbi 10 cm.
Mjegulla e dendur e bën të pamundur pamjen. Deri tani nuk raportohen probleme në rrugë si pasojë e reshjeve të shiut dhe borës, të rëna gjatë natës.