Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka kaluar zyrtarisht për shqyrtim kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta nga posti i tij, nën pretendimet e “shkeljeve të rënda të Kushtetutës”.
Kalimi i çështjes do të jetë për shqyrtim në një seancë plenare publike, data e së cilës do të shpallet më pas.
Vendimi është miratuar në Parlament më 9 qershor 2021. Më pas, më datë 14 qershor, vendimi i është dërguar Kushtetueses.
Ky vendim i organit më të lartë në drejtësinë shqiptare, vjen ekzaktësisht pesë muaj pas kërkesës së Kuvendit.
Si u shkarkuar Ilir Meta?
Me vota 104 pro, 7 kundër dhe 3 abstenim, Kuvendi miratoi kërkesën e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës më 9 qershor 2021.
Të nevojitura për shkarkimin e tij, ishin 94 vota pro, të cilat u tejkaluan, falë kartonëve jeshilë të opozitës së atëhershme parlamentare.
Ky shkarkim i presidentit ishte i paralajmëruar, pas vendimit të mazhorancës për të ngritur një komision të posaçëm hetimor për shkarkimin e Metës.
Raporti i komisionit u miratua gjithashtu me 104 vota pro, duke i hapur rrugë votimit për pozitën e presidentit. Votim, që ka konfirmoi shifrat e raportit.
Pse u kërkua shkarkimi i Metës?
Pas thirrjeve të presidentit Meta përpara fillimit të zgjedhjeve të 25 prillit, mazhoranca ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e tij, menjëherë pas fitores së mandatit të tretë radhazi.
Sipas socialistëve, Meta ka kryer shkelje të rënda kushtetuese, ku ka kryer thirrje për dhunë parazgjedhore. Ai gjithashtu ka dalë mbi palët sipas socialistëve dhe ka mbështetur qartësisht një palë karshi tjetrës.
Komisioni hetimor për shkarkimin e Metës u caktua, në të cilin u administruan provat filmike të pretendimeve socialiste. Vetë Meta, refuzoi të shkonte për të dëshmuar në Komision, pavarësisht se këtë e detyron dhe përcakton ligji.
Pas konsultimit me ekspertët dhe këqyrjes së provave filmike, komisioni përpiloi raportin e tij përfundimtar.
Në të, kërkohej shkarkimi i presidentit Meta, duke argumentuar se ai ka kryer shkelje të rënda kushtetuese.
Kuvendi miratoi pikërisht 9 qershorin, si datë për mbledhjen e seancës plenare për shkarkimin e tij.
Tashmë, me këtë votim, e vetmja gjë që pritet, është vendimi i Kushtetueses.