Është ndërprerë përkohësisht puna për ndërtimin e gurthyesit në fshatin Kusar të Gjakovës pas ndërhyrjes së policisë e cila ka urdhëruar kompaninë që të ndalojë aktivitetin për arsye sigurie pas situatës së krijuar në protestën e sotme.
Banorët e fshatit Kusar në Gjakovë dhe fshatrave përreth protestuan sërish sot duke kërkuar që të ndalet ndërtimi i gurthyesit në këtë zone, shkruan Reporteri.net.
Ndërsa mbahej protesta kishte edhe tensione, pasi banorët kërkuan largimin e makinerive punuese ndërsa kompania “Alko-H&S” që dëshiron të ndërtojë gurthyesin ka thënë se është e pajisur me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të zhvilluar aktivitetin.
“Bazuar ne ligjet dhe legjislacionin në fuqi, duke respektuar te gjitha standardet dhe kriteret përkatëse, kompania jonë ka aplikuar për ndërtimin e gurthyesit tek organet kompetente, konform ligjit dhe është pajisur me te gjithë dokumentacionin e nevojshëm për te filluar aktivitetin gjegjës”, thuhet në reagim e kompanisë.
Po ashtu, kjo kompani thotë se deri ma tash janë respektuar te gjitha procedurat legjislative dhe kriteret ne fuqi dhe për këtë janë dëshmitë e inspektorëve komunalë dhe qendrorë.
“Për zbatimin e tyre kohe pas kohe kanë qenë në punishte për te verifikuar, edhe inspektorë nga niveli lokal dhe qendror, të cilët me procesverbalet e tyre nuk kanë paraqitur asnjë vërejtje. Aspak nuk qëndrojnë dizinformatat se me aktivitetin tonë po dëmtohen varrezat dhe shpella”, përfundoi reagimi i kompanisë.
Komuna e Gjakovës doli në mbështetje të banorëve të 6 fshatrave që protestuan kundër gurëthyesit në Kusar. /Reporteri.net/.
Komuna e Gjakovës mbështet banorët e 6 fshatrave që protestuan kundër gurëthyesit në Kusar