×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosovarët e kthyer nga Zvicra, në shtator sërish do t’i marrin pensionet

    Reporteri
    11 Qershor 2019 | 18:49

    Për gati dhjetë vjet, nga 2010-a e deri sot, kosovarët që punuan në Zvicër por u kthyen në atdhe, nuk kanë marrë pensionet e tyre, ndonëse i kishin të drejtat për t’i marrë.


    Por, një marrëveshje e re rreth pensioneve duket se është shumë gati.

    Parlamenti zviceran, ka miratuar një marrëveshje javë e kaluar, dhe kështu, është bërë e ditur se s’do të ketë referendum të dytë por atyre do t’u takojë përsëri kjo e drejtë.

    Këshilli Kombëtar ka refuzuar të dorëzojë një kontratë për referendum, gjë që ua lehtëson të drejtat kosovarëve.

    Ky, siç raporton Blick, është një lajm i mirë për ata që janë të përfshirë në çështjen e pensioneve.

    “Pensionet e para AHV dhe IV së shpejti do të kthehen në shtetin ballkanik”, shkruan Blick, transmeton Koha.net.

    “Marrëveshja do të hyjë në fuqi sa më shpejt që të jetë e mundur”, kanë thënë zyrtarë nga Zyra Federale e Sigurimeve Shoqërore, që sipas të gjitha gjasave, pritet të jetë 1 shtatori.

    Nga viti 2010, kosovarët që kanë punuar dhe janë pensionuar në Zvicër nuk merrnin më pensione nëse ktheheshin në atdheun e tyre. Kjo për shkak se besohej të jetë abuzim e mashtrim, dhe Zvicra kishte ndërprerë një marrëveshje të tillë.

    Ndërkohë, kur situata u qetësua, nisi marrëveshja për një kontratë të re.

    Marrëveshja e re, thuhet aty, do të zbatohet për të gjithë kosovarët që kanë dalë në pension që nga 1 prilli 2010 dhe të cilët nuk kanë vendosur të kërkojnë shlyerjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara në këmbim të një pensioni mujor.

    Kujtojmë se pensionet e kosovarëve që kanë punuar në Zvicër u ndërprenë në vitin 2010. Kjo marrëveshje më parë ka qenë e nënshkruar mes ish-Jugosllavisë dhe Zvicrës qysh në vitin 1962.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!