×
  • Sport
  • Sport

    Kur politika e mposhtë sportin, 3 tentimet e ekipit kosovar të boksit për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror në Beograd

    Reporteri
    25 Tetor 2021 | 17:41

    Autor: Ideal Sufaj


    Ekipit të boksit të Kosovës, ju ndalua tre herë hyrja në Serbi për të marr pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit që mbahet në Beograd.

    Edhe pse me tentime të vazhdueshme, madje edhe pa simbolet e Kosovës, ekipi ynë i boksit nuk u lejua të hynte brenda territorit serb, shkruan Reporteri.net

    Lajmi u bë i ditur nga “KOK-u”, Komiteti Olimpik i Kosovës të cilët kërkuan nga Organizata Botërore e Boksit të ndëshkojë menjëherë Serbinë për këtë vendim nga ta.

    “KOK kërkon nga AIBA të merren masa të menjëhershme ndaj organizatorit

    Komiteti Olimpik i Kosovës ka adresuar reagimin e radhës drejt AIBA-s, në lidhje me refuzimin e tretë që iu bë ekipit të boksit të Kosovës nga autoritetet serbe, të cilat nuk lejuan hyrjen e tyre në Serbi, përmes pikës kufitare në Merdarë.

    Në letrën e presidentit Ismet Krasniqi dërguar presidentit të AIBA-s, Umar Kremlyov, thuhet se fituesja e vetme e kësaj situate është Qeveria e Serbisë, e cila ndërhyri në çështjet sportive, duke ua mohuar boksierëve të Kosovës të drejtën e garimit me boksierët tjerë.

    KOK ka kërkuar që kjo çështje të mos kalojë në heshtje, por të merren masa ndaj organizatorit, derisa janë përmendur edhe dëmet që i shkaktohen boksit të Kosovës me veprimin e sotëm të Serbisë.

    Gjatë dy ditëve të fundit, KOK dhe AIBA kanë kanë shkëmbyer mori letrash, për të zgjedhur çështjen.

    KOK ka reaguar edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, nga të cilët po ashtu pret të merren masa. Botërori i boksit nis sonte në Beograd”, u tha në njoftimin e KOK-ut.

    Për rastin në fjalë reagoi edhe Organizata Ndërkombëtare e Boksit “AIBA”, të cilët thanë se se Kosova duhet të garojë me simbole shtetërore në Beograd.

    Në letrën e “AIBA-s” thuhej që autoritetet serbe të lejojnë menjëherë që boksierët e Kosovës të garojnë me Simbole shtetërore, por ishte e kot, pasi ata nuk u lejuan edhe në tentimin e tyre të dytë madje pa simbole.

    “Federata e Boksit të Kosovës është anëtare e plotë e AIBA-s që nga nëntori i vitit 2014 dhe pritet të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit për meshkuj të AIBA-s. AIBA pret që delegacioni i Federatës së Boksit të Kosovës të mos trajtohet ndryshe nga delegacioni i çdo anëtari tjetër të AIBA-s.

    AIBA synon të sigurojë një shtëpi mikpritëse për çdo boksier dhe bota e boksit nuk ka kufij. Ne besojmë se të gjithë atletët duhet të kenë një shans të drejtë për të garuar dhe për të demonstruar aftësitë e tyre më të mira në ring. Sporti synon të bashkojë njerëzit dhe duhet të jetë i lirë nga politika kombëtare.

    AIBA është në kontakt me organizatorin e ngjarjes për Kampionatin Botëror AIBA, Federatën Serbe të Boksit, në përpjekje për të korrigjuar situatën”, thuhet ne komunikate.

    Për këtë vendim të Serbisë reagoi edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ku tha se Serbia si Organizatore e këtij kompeticioni ka shkelur të drejtat e sportistëve.

    “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dënon ashpër vendimin e sotëm të autoriteteve të Serbisë, të cilët penguan hyrjen e sportistëve tanë në territorin e tyre, për shkak të simboleve shtetërore në uniforma.

    Me këtë veprim, Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, kanë shkelur të drejtën e sportistëve dhe të drejtën e Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionat, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit.
    Federata e Boksit të Kosovës është anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore të Boksit (AIBA).

    Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit të Serbisë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të reagojnë me shpejtësi në mënyrë që garuesit tanë të arrijnë në kohë për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet nga 24 tetori deri më 6 nëntor.

    Këtë kërkesë e kemi drejtuar edhe me shkrim tek ministri i Rinisë dhe Sportit në Serbi, z. Vanja Udovičić”, thuhet në komunikatën e MKRS.

    Kështu, Sportistët kosovarë nuk u lejuan assesi të futen në territorin e Serbisë, derisa Shqipëria po shqyrton mundësin e pjesëmarrjes në këtë kompeticion sepse gjatë ditës së sotme u raportua se edhe ekipi i boksit të Shqipërisë po ka presion dhe se janë shoqëruar nga forca të Policisë.

    Ndryshe, sot Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, tha se, gjatë kësaj jave, Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele” serbe.

    Gjatë një konference për media me ekipin e boksit të Kosovës, ministri Çeku, në emër të Qeverisë së Kosovës, e dënoi ashpër vendimin e autoriteteve serbe për t’iu pamundësuar atletëve kosovarë pjesëmarrjen në garat në Beograd.

    Sipas tij, një vendim i tillë është shkelje e të gjitha rregullave ndërkombëtare sportive.

    “Besojmë se ky vendim i organizatorëve të garës botërore në Beograd është marrë sipas direktivave të Qeverisë së Serbisë”, tha Çeku.

    Të dielën, shtoi ai, është kërkuar nga ambasadat e huaja në Kosovë që të reagojnë dhe të mundësojnë shkuarjen e sportistëve kosovarë, por, sipas tij, përkundër kërkesave të shumta, si në nivel institucional, ashtu edhe në nivel të organizatave sportive, sportistët e Kosovës janë penguar të shkojnë në Beograd.

    “Qasja e Serbisë e ka tejkaluar botën e sportit, duke e kthyer atë në një çështje politike”, tha Çeku.

    “Kemi kërkuar reagim edhe nga BE-ja, e cila në raste të tjera ka qenë shumë e kujdesshme gjatë reagimeve, por, për çudi, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga BE-ja për shkelje të pastër të të drejtave themelore të sportistëve”, tha Çeku./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!