Autor: Bledë Krasniqi
Të mërkurën mbrëma kryeministri i vendit Albin Kurti është kërcënuar. E kjo ka bërë që forca të Policisë së Kosovës të paraqiten para shtëpisë së tij.
Se Kurti është kërcënuar e ka konfirmuar mbrëmë për Gazetën Online Reporteri.net edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
“Kryeministri Kurti është kërcënuar. Për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre. Ato bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse.”, ka thënë ai për Reporteri.net.
Gazeta Reporteri.net ka siguruar një shpallje të bërë dje në rrjetin social “Facebook”, ku ofrohen 50 mijë euro për këdo që e vret kryeministrin Kurti.
Kështu një person ka shkruar në grupin “Shes blej gjithçka”, në rrjetin social “Facebook”.
Postimi është fshirë nga platforma, pasi është vënë në pah nga organet e sigurisë.
Në atë postim, thuhet se “Kurti duhet të vritet”, ndërsa si arsye përmendet rritja e çmimeve për produktet esenciale.
Pas këtyre raportimeve, Kurti, i rrethuar me forca të shumta të Policisë së Kosovës, është kthyer mbrëmë në shtëpinë e tij.
Policë të shumtë e të armatosur me armë të gjata e kanë përcjellur të parin e Qeverisë së Kosovës deri në hyrjen e shtëpisë së tij.
Kurti flet për kërcënimet që mori mbrëmë
Kreu i Ekzekutivit është deklaruar paraditen e së enjtes për kërcënimet që i ka marrë.
Kurti ka thënë se nuk ndihet i rrezikuar nga këto kërcënime, derisa është shprehur se agjenda e tij mbetet e njëjtë, dhe për asnjë moment nuk e ka ndryshuar, as dje, e as sot.
Kurti tërthorazi ka pranuar se kërcënimet ndaj tij kanë ardhur në rrjete sociale, derisa nuk ka dhënë më shumë detaje, shkruan Reporteri.net.
“Së pari unë nuk ndjehem i rrezikuar, mirëpo janë organet e sigurisë ato të cilat i vlerësojnë kërcënimet dhe i ndërmarrin veprimet në përputhje me rrethanat e caktuara. Përndryshe unë as dje as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time. Organet sigurisë janë mekanizmat e shtetit që bëjnë vlerësimin kur ngjajnë kërcënime në rrjete sociale të cilat unë nuk kam mundësi t’i ndjek. Fizikisht është e pamundur për mua të merrem me kërcënime ndaj fizikut tim”, është shprehur Kurti sot para mediave.
Policia e Kosovës jep detaje për kërcënimet e mbrëmshme ndaj Kurtit
Policia e Kosovës është deklaruar paraditen e sotme lidhur me kërcënimin drejtuar mbrëmë ndaj kryeministrit, Albin Kurti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Policia ka konfirmuar kërcënimin teksa kanë theksuar se menjëherë janë marrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme operativo-hetimore.
PK-ja thotë se në këtë aktivitet nuk ka pasur të angazhuar zyrtarë të Njësisë Speciale.
“Fillimisht Policia e Kosovës, ka shtuar masat e sigurisë personale të Kryeministrit përfshirë këtu mbrojtjen e afërt, por gjithashtu edhe ka dërguar njësi të reagimit të shpejtë nga Regjioni i Prishtinës të përberë nga dy zyrtarë policorë, në sigurim te shtëpia e banimit të Kryeministrit. Policia e Kosovës konfirmon se në këtë aktivitet nuk ka pasur të angazhuar asnjë zyrtarë të njësive speciale”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Gjithashtu u tha se lidhur me rastin menjëherë janë iniciuar hetimet dhe ato janë duke vazhduar, përderisa bazuar në hetimet e deritanishme dhe vlerësimin e rrezikut, njësia e reagimit të shpejtë është larguar nga lokacioni.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin drejt ofrimit të sigurisë ndaj personaliteteve të vendit dhe qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe hetimin dhe trajtimin e të gjitha rasteve”, është thënë në njoftimin e Policisë. /Reporteri.net/