×
  • Lajme
  • Botë

    Polonia do të ndërtojë mur në kufi me Bjellorusinë

    Reporteri
    30 Tetor 2021 | 15:02

    Parlamenti i Polonisë votoi të premten për ndërtimin e një muri në kufi me Bjellorusinë, për të bllokuar fluksin e migrantëve që hyjnë ilegalisht në Poloni.

    Mijëra njerëz – kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Azia – kanë bërë përpjekje për të kaluar kufirin e Polonisë, muajve të fundit.

    Bashkimi Evropian e akuzon Qeverinë e Bjellorusisë për nxitjen e fluksit, si hakmarrje për sanksionet që ka ndërmarrë BE-ja kundër regjimit bjellorus.

    Muri prej 5.5 metrash do të kushtojë 353 milionë euro.

    Legjislacioni tani do t’i kalojë presidentit të Polonisë, Andrzej Duda, i cili pritet ta nënshkruajë atë.

    Muri – i pajisur me sensorë dhe sisteme monitorimi – do të mbulojë rreth gjysmën e kufirit të Polonisë me Bjellorusinë, i cili ka një gjatësi prej 400 kilometrash.

    Qeveria planifikon ta ndërtojë atë deri në verën e ardhshme.

    Polonia thotë se aktualisht rreth 500 njerëz në ditë bëjnë përpjekje të kalojnë ilegalisht në territorin e saj nga Bjellorusia.

    BE-ja thotë se Bjellorusia e lehtëson kalimin e migrantëve në shtetet fqinje të BE-së, në përgjigje të sanksioneve.

    Blloku evropian ka sanksionuar regjimin bjellorus për shkak të shtypjes së opozitës./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!