Dy dekadat e çlirimit të Kosovës midis të tjerash janë festuar edhe me përurimin e bustit të ish-sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright në Prishtinë.
Pikërisht sheshi që mban emrin e saj, është bërë nikoqir i portretit që lidhet direkt me çlirimin e Kosovës. Por ende pa u inauguruar zyrtarisht, për veprën e realizuar nga skulptori Luan Mulliqi ka shpërthyer debati.
Sidomos në rrjetet sociale fotografitë e bustit janë shpërndarë me komente se figura e paraqitur nuk është reale dhe nuk shpërfaq ish-sekretaren Albright. Bile ka edhe njerëz të fushës që nuk pajtohen me mënyrën e realizimit të veprës. Krejt këto për autorin e saj janë reagime të një shijeje të realizmit socialist. Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka thëne se qëllimi i tij ishte që skulptura të jetë moderne dhe të nxjerrë në pah psikologjinë e personazhit, figura e së cilës është derdhur në bronz.
Midis ovacioneve e thirrjeve “USA” pasditen e së mërkurës, vetë Albright e shoqëruar nga ish-presidenti i ShBA-së, Bill Clinton, e presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zbuluar bustin. Ajo është dukur tejet e emocionuar në këtë ceremoni.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.