×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyrtarja e lartë amerikane në takim me Kurtin: Biden ka lidhje të fortë personale me Kosovën

    Reporteri
    04 Nëntor 2021 | 14:46

     Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,  ka pritur sot në takim zëvendës ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit, Molly Montgomery.

    Në këtë takim Montgomery rikujtoi marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që Presidenti Biden ka me Kosovën.

    Në njoftimin për media thuhet se në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo falënderoi Kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe mbështetjen në çështjen e strehimit të qytetarëve afganë.

    Kryeministri Kurti tha se kjo ndihmë ishte obligim humanitar yni dhe se ne duam t’i qëndrojmë në krah ShBA-ve, aleatit tonë strategjik.

    Ai e falënderoi për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë. Po ashtu e njoftoi për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, ku përfshihet edhe ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë.

    Kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për vlerësimin e Presidentit Biden, që vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje duhet përqendruar në njohjen reciproke.

    Gjithashtu, u bisedua për situatën e mirë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe administrimin e rreth 1.6 milionë dozave.

    Kryeministri Kurti falënderoi ShBA-në për ndihmën në procesin e sigurimit të vaksinave kundër Covid-19.

    Duke ritheksuar aleancën e palëkundur me ShBA-në, kryeministri shprehu përkushtimin e Qeverisë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej në fushën e edukimit, agrikulturës dhe investimeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!