×
  • Lajme
  • Shqipëria

    “Ta varin, i shkruante fjalë turpi”, flet gjyshja e 14-vjeçares së ngacmuar nga drejtori i shkollës në Pogradec

    Reporteri
    07 Nëntor 2021 | 13:45

    Gjyshja e 14-vjeçares, njërës prej vajzave të ngacmuara seksualisht nga drejtori i shkollës së fshatit Stropckë në Pogradec ka folur për Top Channel.

    Ajo tha se vajza ka folur për dy javë me drejtorin dhe ai i shkruante ‘fjalë turpi’.

    Sipas së moshuarës, vajza ka jetuar me ta, pasi prindërit i ka në Greqi.

    “I ka shkruar çupes në telefon, çupa i kishte thënë kujdestares së klasës, kishte folur me ato, pastaj e morëm vesh ne këtë gjë. Ne atë ditë nuk e dinim fare, çupën e kishin marrë e kishin çuar në Pogradec. Ne nuk e dinim, pastaj erdhën na thanë që çupa shkoi në Pogradec. Nuk e di çfarë i shkruante, por llafe turpi.”

    “Kishte dy javë që shkruante me çupën. Vajza na tregoi pastaj, prindërit i ka në Greqi, ne kujdesemi për të. Shkuan bashkë në komisariat me çupën tjetër dhe babanë e asaj. Dje na thirrën dhe djalin. Ne nuk dalim dot jashtë përjashta, për çupën. Shteti e di, ata njerëz që bëjnë këto gjëra, ta varin. Ka 3 ose 4 vjet drejtor në këtë shkollë, ndërsa çupa ka 2 vite se ishte në Tiranë”, tha e moshuara.

    Policia ka arrestuar një 59-vjeçar në Pogradec, i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy vajza të mitura.

    Adriatik Haxhillari, me profesion drejtor në shkollën 9 vjeçare të fshatit Stropckë, u arrestua një ditë më parë për ngacmim të dy nxënëseve të mitura.

    Sipas informacioneve, ngacmimi ndaj minoreneve ka filluar disa javë më parë. Ka qenë policia e Pogradecit ajo që në bazë të informacioneve ka mundur të zbulojë në prani të psikologeve nga dy vajzat e mitura të cilat kanë pranuar se drejtori u ka bërë shenja gjatë mësimit.

    Po ashtu, ai u ka dërguar sms ngacmuese në orët e natës. Vajzat e mitura nuk kanë treguar në familje dhe as nuk e kanë denoncuar, por policia ka mundur t’i bindë për të treguar se çfarë kishte ndodhur.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!