×
  • Lajme
  • Lajme

    Senati amerikan e konfirmoi për ambasador në Kosovë, por kush është Jeffrey Hovenier

    Reporteri
    19 Nëntor 2021 | 8:44

    Senati amerikan ka konfirmuar Jeffrey Hovenier për ambasador në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

    Në korrik të këtij viti, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka nominuar Jeffrey M. Hovenier për ambassador të SHBA-së në Kosovës.

    Por kush është Hovenier, ambasadori i ri amerikan në Kosovë?

    Ai është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

    Hovenier aktualisht është zëvëndësshef i misionit të Ambasadës së SHBA-së në Ankara të Turqisë. Ai gjithashtu ka shërbyer edhe në ambasadën e SHBA-së në Berlin si dhe në misionet e SHBA-së në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru.

    Në Uashington ai ka kryer detyrën e Drejtorit për Çështjet të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.

    Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e pati dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

    “Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, pati thënë  atë kohë Hovenier.

    Javë më parë, Hovenier ka paraqitur në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të senatit amerikan dëshminë e tij për nominimin e tij si ambasador i SHBA-ve në Prishtinë nga Presidenti Joe Biden

    Para senatit Hovenier, pati thënë se për të do të ishte nder të shërbejë në një vend si Kosova ku SHBA ka luajtur rol në shtetndërtimin e tij.

    Ai gjithashtu  tha se SHBA ka luajtur rol thelbësor së bashku me partnerët evropian për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe për ti mbështetur ata që të krijojnë një shtet demokratik dhe multietnik.

    Sipas tij, shkruan Gazeta Online Reporteri.net, populli i Kosovës nuk e ka harruar asnjëherë rolin e SHBA-së dhe mbështetjen në këto 22 vjetet e fundit.

    Në pozitën e ambasadorit në Prishtinë, ai do të zëvendësojë, ambasadorin e tanishëm, Philip Kosnett. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!