Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në një intervistë me zë për revistën online “Monocle”ka folur për dialogun me Serbinë, derisa ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet ta njohin njëra-tjetrën dhe se BE-ja është faktor i rëndësishëm për këtë.
Kurti është shprehur pjesa qendrore e marrëveshjes së ardhshme gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke.
“Mendoj se të gjithë duhet të jemi optimistë sepse s’ka rrugë tjetër. Besoj se kemi disa mosmarrëveshje por pjesa qëndrore e marrëveshjes së ardhshme gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke. Tani ne kemi mosnjohje reciproke, pra ne duhet ta njohim njëra-tjetrën, drejt këtij qëllimi ne mund të kemi një deklaratë paqësore së pari ku ne merremi vesh se nuk do ta sulmojmë njëra-tjetrën një deklaratë të jo-agresivitetit. Po ashtu mendoj se BE-ja është faktor i rëndësishëm që mund të ofrojë një korrnizë për marrëveshjen e ardhshme sepse duhet të jetë mbi frymën e vlera evropiane, rend dhe ligj, demokratizim dhe ballafaqimi me të kaluarën”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi gjatë ditës së sotme tha se afatet kohore për arritje të marrëveshjes janë paraqitur, por ai nuk dha një datë të saktë.
Megjithatë, ai theksoi se këto afate përputhen me mandatin e kryeministrit, Albin Kurti.