“Bashkë është e mundshme” ishte slogani i Vetëvendosjes në vitin 2010, kur për herë të parë po garonte në zgjedhje, kurse nëpër tubime elektorale nuk shihej flamur tjetër përveç atij kuq e zi.
Lideri i kësaj partie Albin Kurti në vazhdimësi insistonte se bashkimi kombëtar është domosdoshmëri dhe projekt që fuqizon Kosovën e Shqipërinë, të cilat i quante dy shtete të dobëta.
Mirëpo qëndrimet e kryeministrit aktual për bashkimin e Kosovës e Shqipërisë duket se kanë ndryshuar.
Ai në një intervistë për një revistë ndërkombëtare u deklarua se do të votonte për bashkim me Shqipërinë, vetëm nëse do të kishte një referendum paqësor dhe demokratik.
Ish-kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu ka vlerësuar se përgjysmimi i votave të VV-së në zgjedhjet lokale erdhi pikërisht si rezultat i braktisjes së kauzës së bashkimit kombëtar, raporton T7, shkruan Express.
Por, ai është shprehur i bindur se më parë mund të ndodhë bashkimi kombëtar se sa anëtarësimi i Kosovës në BE.
Ndonëse bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka munguar në shumë drejtime, së fundi edhe përplasjet mes krerëve të dy shteteve kanë qenë prezente. E, në veçanti kur në tavolinë diskutimi kanë qenë temat e bashkëpunimit rajonal.