Një aksident tragjik ka ndodhur rreth orës 3 pas mesnate në Bullgari, ku mbetën të vdekur 46 persona, pasi një autobus që po kthehej nga Turqia për në Maqedoni të Veriut u përfshi nga flakët.
Sipas raportimit të mediave, në mesin e viktimave kanë qenë edhe 12 fëmijë.
Në autobus besohet të kenë qenë 53 persona. Aksidenti ka ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes, në orët e para të mëngjesit të së martës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Një zyrtar nga spitali në Sofje ka thënë se shtatë persona janë duke u trajtuar, të cilët kanë arritur të largohen nga autobusi. Gjendja e tyre është stabile.
Disa qytetarë – familjarë të udhëtarëve nga aksidenti tragjik i autobusit të “Besa Trans” tashmë janë mbledhur para zyrave të kompanisë në Shkup. Familjarët kërkojnë informacione për të afërmit e tyre.
Në Shkup, një 31-vjeçar shqiptar ka folur për “Reuters” duke treguar se së bashku me vëllain dhe motrën e tij kanë ardhur për të kërkuar informacione për prindërit e tyre.
31-vjeçari ka theksuar se nuk e dinë nëse prindërit e tyre kanë qenë në autobusin që u përfshi nga flakët, teksa bën të ditur se as Agjencia nuk po ua hap telefonin.
“Nuk e dimë nëse ishin në autobusin që u rrëzua apo jo. Nuk kemi informacion për ta. Agjencia nuk po përgjigjet në telefon. Ndoshta do të na duhet të shkojmë në Bullgari,” tha 31-vjeçari, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Ndryshe, ende nuk dihet shkaqet e aksidentit. Mediat bullgare po raportojnë lidhur me dy versionet se si mund të ketë ardhur deri te aksidenti.
Ende nuk dihet nëse autobusi ka marrë flakë para aksidentit apo pas tij.
Sipas Dnevnik, dy versione kryesore janë duke u hetuar – një gabim i shoferit të autobusit dhe një mosfunksionim teknik i papritur.
“Nuk dihet nëse automjeti ka marrë flakë pas aksidentit apo për shkak të tij. Dy versione kryesore janë duke u hetuar – një gabim njerëzor i shoferit të autobusit dhe një mosfunksionim teknik i papritur. Autoritetet nuk përmendën një lidhje me kushtet e rrugës si pjesë e versioneve nën hetim”, raporton Dnevnik.
Stanimir Stanev, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Kombëtare, tha për BTV se në vendin e aksidentit nuk ka pasur autobus tjetër.
Sipas ministrit të Brendshëm në detyrë Bojko Rashkov, megjithatë, automjeti ishte i fundit në një kolonë të disa autobusëve që udhëtonin së bashku pas udhëtimit.
Sipas tij, ato janë organizuar së bashku nga i njëjti pronar.
Para BTV-së, Bogdan Milçev nga Instituti për Siguri Rrugore bëri thirrje për hetimin e gjendjes së rrugës (së bashku me gabimet njerëzore dhe mosfunksionimin teknik), sepse hetimi i vetëm dy hipotezave, siç njoftojnë autoritetet, është i pasaktë. /Reporteri.net/